Shqipëria Postuar më 18 Korrik 2026, 11:08

Fitimet nga bonot 12-mujore, në nivelin më të lartë të vitit - Edhe pse yield-i u rrit në 2.67%, kërkesa e investitorëve rezultoi më e ulët

Nga Ledina Elezi

Fitimet nga bonot 12-mujore, në nivelin më të lartë të

Fitimet nga investimi në bono thesari 12-mujore kanë shënuar një rritje të lehtë në ankandin më të fundit të zhvilluar nga Ministria e Financave. Në ankandin e fundit, yield-i mesatar i ponderuar i pranuar arriti në 2.67%, nga 2.59% që ishte në ankandin e mëparshëm të muajit qershor.

Kjo rezulton të jetë norma më e lartë e interesit që prej fillimit të vitit.

Megjithatë, niveli i interesit vijon të luhatet pranë normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë, e cila aktualisht qëndron në 2.50%.

Ndryshe nga ankandet e mëparshme, këtë herë kërkesa e investitorëve rezultoi më e ulët se shuma që qeveria synonte të merrte hua. Konkretisht, Ministria e Financave kishte shpallur për financim 8 miliardë lekë, ndërsa vlera e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në rreth 5.55 miliardë lekë.

Për pasojë, u pranua e gjithë shuma e kërkuar nga investitorët, por qeveria nuk arriti të sigurojë të gjithë shumën e planifikuar. Raporti i mbulimit të ankandit rezultoi 0.69, që tregon se për çdo 100 lekë të shpallura për financim, investitorët ofruan vetëm 69 lekë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se yield-i maksimal i kërkuar nga investitorët arriti në 2.84%, ndërsa yield-i minimal i kërkuar ishte 2.55%. Kjo tregon se pjesëmarrësit në ankand kanë kërkuar norma interesi disi më të larta krahasuar me ankandet e mëparshme.

Bonot e thesarit 12-mujore konsiderohen ndër instrumentet më të sigurta të investimit në tregun vendas, pasi garantohen nga shteti. Yield-i përfaqëson fitimin që realizon investitori nga mbajtja e bonos deri në maturim dhe në rastin e bonove 12-mujore ky fitim krijohet nga diferenca mes çmimit të blerjes dhe vlerës që investitori përfiton në fund të afatit njëvjeçar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat