Shqipëria Postuar më 11 Mars 2026, 19:17

Firmoset plani operacional Dogana–Tatime për monitorimin e tregut të karburanteve, kohëzgjatja deri më 30 qershor

Nga SCAN TV

Firmoset plani operacional Dogana–Tatime për monitorimin e tregut

Sipas një njoftimi të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe dy drejtorive vartëse të saj Tatimeve dhe Doganave, palët kanë firmosur një plan të përbashkët operacional për monitorimin e tregut të karburanteve.

Në njoftim thuhet se:

“Pas takimit të zhvilluar në Ministrinë e Financave për ngritjen e Task Forcës së përbashkët për monitorimin e tregut të hidrokarbureve, sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave u zhvillua takimi i parë i punës mes dy administratave, i drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj.

Në përfundim të diskutimit mes ekspertëve, dy drejtuesit firmosën Planin Operacional për monitorimin dhe kontrollin e mbajtjes, përdorimit dhe tregtimit me pakicë të produkteve energjetike, dokumentin që përcakton organizimin e kontrolleve të përbashkëta në terren dhe mekanizmat e koordinimit mes dy institucioneve.

Ngritja e kësaj Task Force vjen në një moment kur zhvillimet e fundit ndërkombëtare kanë ndikuar në tregun e hidrokarbureve, duke e bërë të nevojshëm monitorimin më të afërt të çmimeve dhe të zinxhirit të tregtimit të karburanteve në vend, me qëllim shmangien e rritjeve abuzive dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve.

Në kuadër të këtij operacioni, grupe të përbashkëta kontrolli nga të dy administratat do të zhvillojnë verifikime në subjektet që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e karburanteve, duke kontrolluar dokumentacionin e furnizimit, origjinën e produktit, përputhshmërinë e sasive të tregtuara dhe fiskalizimin e shitjeve.

Kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit deri në 30 qershor 2026, bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e disponueshme nga të dy institucionet.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e një tregu transparent dhe të rregullt të hidrokarbureve. “Ky plan operacional krijon një mekanizëm të përbashkët veprimi mes administratës doganore dhe asaj tatimore, duke na mundësuar të koordinojmë më mirë kontrollet në terren dhe të rrisim efektivitetin e monitorimit të këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, vlerësoi këtë nismë si një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve. “Sektori i hidrokarbureve kërkon një koordinim të vazhdueshëm mes administratave tona. Ky plan operacional është një mundësi për ta çuar bashkëpunimin mes Tatimeve dhe Doganave në një nivel tjetër, në funksion të monitorimit të çmimeve, rritjes së transparencës dhe formalizimit të tregut”, theksoi Binaj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat