Shqipëria Postuar më 11 Korrik 2025, 12:42

Financimi i hekurudhës Durrës-Rrogozhinë - Qeveria miraton në parim marrëveshjen e huasë me BERZH-in

Nga Ola Mitre

Financimi i hekurudhës Durrës-Rrogozhinë - Qeveria miraton

Qeveria ka miratuar në parim marrëveshjen e kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e fazës së parë të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë. Miratimi vjen pas dhënies së dakordësisë nga BERZH një muaj më parë.  Kredia ka një vlerë prej 30 mln euro dhe është pjesë integrale e paketës së financimit prej 120.5 mln euro. Ndërkaq, pjesa tjetër prej 90 mln euro do financohet përmes një kredie nga Banka Evropiane të Investimeve, marrëveshja e së cilës u miratua nga ekzekutivi një javë më parë.

Ky projekt synon rehabilitimin dhe modernizimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, një segment 34 km të gjatë, i cili do të elektrifikohet dhe do të përmirësohet në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Pas realizimit të këtij investimi, trenat do të mund të udhëtojnë me shpejtësi deri në 120 km/h. Ky aks hekurudhor është pjesë e Korridorit VIII, një rrugë strategjike që lidh Italinë me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, duke shërbyer si një nyje e rëndësishme për transportin e udhëtarëve, mallrave dhe, potencialisht, për qëllime të mobilitetit ushtarak.

Përveç përfitimeve ekonomike dhe strategjike, ky projekt do të ketë një ndikim të rëndësishëm pozitiv në mjedis. Ai do të kontribuoni në zvogëlimin e trafikut rrugor dhe ndotjes, duke kaluar më shumë transport të mallrave dhe udhëtarëve nga rrugët në hekurudha, çka do të reduktojë ndjeshëm emetimet e karbonit.

Me miratimin e kësaj marrëveshjeje, Shqipëria po vazhdon përpjekjet për të modernizuar dhe përmirësuar infrastrukturën e saj hekurudhore, duke e bërë atë pjesë të rrjetit hekurudhor evropian, me përfitime të mundshme për ekonominë dhe mjedisin.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat