Shqipëria Postuar më 5 Dhjetor 2025, 15:56

Filtër kontrolli për investimet e huaja - Rregullorja e re/ Shqyrtim i veçantë për ato që lidhen me infrastrukturën publike kritike

Nga Ledina Elezi

Filtër kontrolli për investimet e huaja - Rregullorja e re/ Shqyrtim i

Shqipëria po vendos një mekanizëm të ri kontrolli për investimet e huaja që hyjnë në vend, sidomos ato që prekin sektorët më të ndjeshëm të sigurisë kombëtare. Është publikuar për konsultim publik projektvendimi për miratimin e një rregulloreje të posaçme, që përcakton për herë të parë rregulla të detajuara për vlerësimin, hetimin dhe miratimin e investimeve të huaja direkte.

Sipas dokumentit, çdo investim i huaj që lidhet me infrastrukturën publike kritike – si energjia, transporti, infrastruktura digjitale, shëndetësia apo furnizimi me ujë – do t’i nënshtrohet një procedure të veçantë shqyrtimi. I njëjti vlerësim do të bëhet edhe për investimet që përfshijnë teknologji kritike, pajisje ose mallra me përdorim të dyfishtë, prej të cilëve një pjesë mund të përdoren edhe për qëllime ushtarake.
Po ashtu, rregullorja e re përfshin çdo rast kur investitori i huaj mund të marrë akses në të dhëna të ndjeshme, informacione strategjike, apo kur investimi mund të ndikojë në lirinë e medias.

Për zbatimin e këtyre rregullave krijohet një Komitet Ndërministror, i kryesuar nga Ministria e Ekonomisë, ku përfshihen edhe institucione të tjera të sigurisë dhe inteligjencës. Ky komitet ka të drejtë të kërkojë informacion, të hetojë investitorët dhe, nëse është e nevojshme, të vendosë kushte për vazhdimin e investimit ose ta bllokojë atë.

Mekanizmi i ri parashikon edhe bashkëpunim të detyrueshëm me Bashkimin Evropian, në përputhje me rregulloren e BE-së për filtrimin e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të njoftojë Komisionin Europian dhe vendet anëtare sa herë një investim i huaj mund të prekë sigurinë ose projektet me interes të përbashkët evropian.

Projektvendimi parashikon gjithashtu sanksione të forta, përfshirë gjoba deri në dyfishin e vlerës së investimit, në rast se investitorët nuk deklarojnë transaksionet, japin informacion të rremë, ose nuk zbatojnë kushtet e vendosura.

Qeveria thotë se ky mekanizëm synon të mbrojë ekonominë dhe sigurinë kombëtare, si dhe të harmonizojë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, në një kohë kur vendi po përgatitet për hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat