Shqipëria Postuar më 25 Prill 2026, 11:39

“Fermerët të bashkohen që të marrin financim”/ Rama: Nuk mund të shisni me trasta në rrugët e Brukselit

Nga Elisabeta Dosku

“Fermerët të bashkohen që të marrin financim”/

Fermerët duhet të bashkohen që të dalin në treg prodhime nën një markë të caktuar, të ulin kostot, të marrin më shumë financime si dhe të jenë konkurrues në Bashkimin Eurpian. Gjatë një takimi me fermerët në Dibër, Kryeministri Edi Rama theksoi se nëse fermerët nuk bashkohen në Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor, nuk do të mbijetojnë pas integrimit në BE.

“Duhet bashkim dhe për këtë arsye kemi vendosur mbështetje për bashkimin, financiare, institucionale dhe aleancë me shtetin. Në Dibër, SHBB ndërtohet mes fermerëve dhe bashkisë dhe bashkia është aksionere. Por jo që t’ju marri juve fitimet, por është aksionere në një kompani që ju e keni quajtur “Dibra Origin”, për tregun europian. Që fillon bëhet një markë dhe për shkak të markës njerëzit kërkojnë produkte. Në të kundërt nuk e përballojmë dot përplasjen e madhe që do të vijë kur të bëhemi pjesë e BE. Gjithë ai treg i madh ne do dalim tek e tek dhe do mbijetojmë? Ku do ti shesim produktet? Me çanta në rrugët e Brukselit? Si do realizohet siguria ushqimor? Si do ulen kostot e prodhimit”,sqaroi Rama.

Kryeministri thekoi se nuk është problemi tek paratë, sepse ato janë në dispozicion. Sipas tij se shpejti do të hapen edhe aplikimet për linjën e kredisë së butë për dyfishimin e ndërmarrjeve.

“Nuk është më problemi tek paratë. Duhet ta kuptojnë të gjitha ata që duan të punojmë me tokën. Kemi nevoje jo vetëm të prodhojmë mollë dhe qershi, por të prodhojmë nënprodukte, ti përpunojmë, që të rrisim vlerën dhe për këto gjëra, për të hapur një pikë prodhimi, përpunimi, baxho, nuk është më problemi tek paratë por tek projekti dhe aplikimi sepse paratë janë. Dhe për pak ditë do firmosim marrëveshjen me bankat dhe do vendosim në dispozicion të atyre që duan ta dyfishojnë ndërmarrjen, kredi me normë të ulët dhe garanci nga shteti”, u shpreh Rama.

Rama bëri dhe një apel për krerët e Bashkive, duke u vendosur si kusht që përmes paketës së maleve të mundësojnë ngritjen e 10 agroturizmave dhe 3 Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, në të kundërt nuk do të rikandidohen.  

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat