Shqipëria Postuar më 29 Qershor 2026, 10:31

Fermerë, artizanë dhe biznese të vogla, drejt tregut europian - Projektligj për partneritete biznesi mes Shqipërisë dhe BE-së

Nga Diamila Leka

Fermerë, artizanë dhe biznese të vogla, drejt tregut europian -

Fermerë, artizanë, biznese të vogla dhe ndërmarrje shqiptare do të mund të bashkojnë kapitalet dhe aktivitetin e tyre me partnerë nga vendet e Bashkimit Europian, përmes një forme të re organizimi.

Projektligji për Shoqëritë Europiane të Bashkëpunimit, krijon për herë të parë në Shqipëri kuadrin ligjor për ngritjen dhe funksionimin e këtyre subjekteve ndërkufitare. Një shoqëri e tillë mund të themelohet nga persona fizikë ose juridikë nga të paktën dy shtete të ndryshme, ku njëri prej tyre duhet të jetë Shqipëria dhe tjetri një vend anëtar i Bashkimit Europian.

Kapitali minimal për themelimin e saj përcaktohet në 30 mijë euro. Ndryshe nga kompanitë tradicionale, qëllimi kryesor i këtyre shoqërive nuk është vetëm maksimizimi i fitimit, por përmbushja e nevojave ekonomike dhe sociale të anëtarëve.

Sipas relacionit, sektorët me potencialin më të madh janë bujqësia, zejtaria, shërbimet dhe aktivitetet financiare. Në skenarin e parashikuar nga qeveria, brenda pesë deri në dhjetë vjetësh mund të krijohen rreth 100 shoqëri europiane bashkëpunimi, të cilat potencialisht mund të gjenerojnë deri në 50 milionë euro aktivitet shtesë në ekonomi.

Në një përllogaritje ilustruese, nëse secila prej tyre do të krijonte mesatarisht dhjetë vende pune, ndikimi mund të arrinte në rreth një mijë vende të reja pune.

Zbatimi i projektligjit vlerësohet se do të kushtojë rreth 450 mijë euro. Nga kjo shumë, 250 mijë euro janë kosto për sektorin publik, kryesisht për përditësimin e sistemeve të Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe trajnimin e administratës. Rreth 200 mijë euro përllogariten si kosto themelimi dhe përshtatjeje për bizneset.

Regjistrimi dhe administrimi i shoqërive të reja do të kryhet nga Qendra Kombëtare e Biznesit, e cila duhet të përshtatë sistemet elektronike dhe t’i përgatisë ato për ndërlidhjen e ardhshme me regjistrat europianë të biznesit. Projektligji është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë për kapitullin 6 të negociatave, që lidhet me të drejtën e shoqërive tregtare. Ligji do të zbatohet deri në momentin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, kur rregullat europiane do të bëhen drejtpërdrejt të aplikueshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat