Shqipëria Postuar më 30 Korrik 2025, 11:24

Faza III e zgjerimit të superstradës Tiranë–Durrës/ ARRSH hap tenderin me fond limit 25.64 milionë euro

Nga Ernilda Luzi

Faza III e zgjerimit të superstradës Tiranë–Durrës/

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur hapjen e tenderit për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës Faza III. Fondi limit i vënë në dispozicion përllogaritet në 2 miliardë e 498 milionë lekë, apo 25.64 milionë euro.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në programin “Transport Rrugor “, ka planifikuar financimin e projektit me objekt “Ndërtimi i nyjes që lidh rrugën e Laknasit me projektin “Zgjerimi i superstradës Tiranë- Durrës”.

Vendndodhja e projektit propozohet të jetë në afërsi të kryqëzimit të superstradës Tiranë- Durrës dhe miga Industriale Bylis me rrugën e Coca Cola. Zona ku kërkohet të realizohet ky projekt është një zonë me zhvillim të lartë industrial. Ndërsa, rruga ekzistuese përveçse është në gjendje të keqe të shtresave asfaltike, nuk ka akses të drejtpërdrejtë me aksin kryesor Tiranë-Durrës. Aktualisht, lidhja me këtë aks realizohet nëpërmjet rrugëve paralele, të cilat në pjesën më të madhe të ditës janë me trafik të rënduar, thuhet në dokument.

Ndërhyrjet e parashikuara synojnë të lehtësojnë lëvizjen e trafikut të rënduar dhe të krijojë një infrastrukturë komode për lëvizjen e automjeteve në zonën që është në perspektivë zhvillimi urban. Ndërkohë parashikohen që do të ndërtohen mbikalime, tunele të hapura për të siguruar një lëvizshmëri të fluksit pa ndërprerje.

Referuar dokumentit, në pikën lidhëse të rrugës ekzistuese së Laknasit, kërkohet të realizohet një nyje lidhëse me segmentin rrugor të autostradës Tiranë-Durrës. Për shkak të kategorisë së rrugës kryesore, parashikohet që nyja e re të jetë një nyje në disnivel, e cila do sigurojë aksesin e rrugës në fjalë me autostradën. Realizimi i nyjes në fjalë do sigurojë nje akses të sigurtë dhe të shpejtë të zonave urbane në zhvillim me qytetin e Tiranës dhe Durësin.

Hapja e këtij tenderi vjen pas 2 procedurave prokuruese të vitit që kaluar për fazat I dhe II të projektit, që përfshinin zgjerimin e autostradës në 5 km e parë të saj, që nisin pak pasi kalon kthesën e Kamzës, deri te mbikalimi i Rinasit.

Punimet nisën në shtator të vitit të kaluar dhe pas zgjerimit të autostradës, shpejtësia e lejuar për qarkullimin e automjeteve do të jetë 90 - 140 km/h. Sipas projektit, autostrada do të shtohet me nga 2 korsi në secilin kah lëvizjeje, duke bërë që në total të arrihet në 8 korsi.

Kosto totale për ndërhyrjen në 5 km e parë arrin në 3.44 mld lekë apo rreth 34.4 mln euro, me TVSH. Referuar dokumenteve zyrtare punimet në fazat I dhe II parashikohet të zgjatin 19 muaj nga momenti i nënshkrimit të kontratës, çka do të thotë se do të mbyllen në pranverë të vitit 2026.

Megjithatë, Autoriteti Rrugor Shqiptar synon që punimet të përfundojnë në fund të këtij viti.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat