Shqipëria Postuar më 3 Tetor 2025, 11:11

Çfarë parashikon reforma e re e tokës? - Hapet “drita jeshile”. Nga pronësia, tek kontrolli mbi degradimin

Nga Elisabeta Dosku

Çfarë parashikon reforma e re e tokës? - Hapet “drita

Problemet me pronësinë mbi tokën dhe fragmentimin e saj pritet të marrin zgjidhje.  Komiteti Ndërministror i ngritur me qëllim avancimin e Reformës së Menaxhimit të Integruar të Tokës ka zhvilluar takimin e parë duke hapur dritën jeshile këtij procesi, i cili synon të vendosë një kornizë të qartë institucionale, ligjore dhe strategjike, për të shmangur fragmentimin, për të rritur transparencën dhe për të garantuar një administrim modern e efikas të tokës.

Por cilat janë shtyllat kryesore të reformës së tokës?

Reforma e menaxhimit të integruar të tokës është një qasje e re që synon përdorimin dhe administrimin e qëndrueshëm të tokës, duke marrë parasysh nevojat ekonomike, mjedisore dhe sociale. Kjo reformë bazohet në parimin se toka është një burim i kufizuar, i cili duhet të shfrytëzohet në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Elementët kryesore të saj janë hartimi i politikave të integruara për tokën; Bashkërendimi i sektorëve që e përdorin tokën (bujqësi, pylltari, urbanizim, turizëm, industri); Vendosja e planeve kombëtare dhe lokale për përdorimin optimal të tokës; Kadastra dhe regjistrimi i pronësisë; Dokumentimi i qartë i pronës së tokës; Përdorimi i hartave digjitale dhe GIS për të identifikuar zonat bujqësore, urbane, pyjore, ujore. Kufizimi i ndërtimit të pakontrolluar dhe degradimit të tokës.

Po ashtu një shtyllë kryesore është  mbrojtja dhe restaurimi i tokës përmes parandalimit të erozionit, ndotjes dhe shpyllëzimit; Rikuperimit të tokave të degraduara. Përmirësimit të pjellorisë së tokës përmes praktikave të qëndrueshme bujqësore.

Një vëmendje e rëndësishme në reformë do ti kushtohet mbështetjes së fermerëve për përdorim të qëndrueshëm të tokës dhe inkurajimi i investimeve të gjelbra dhe respektimi i standardeve mjedisore.

 Në thelb, reforma e menaxhimit të integruar të tokës synon të shmangë konfliktet mbi tokën, të ruajë ekuilibrin ekologjik dhe të garantojë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Aktualisht, në Shqipëri, kuadri ligjor për menaxhimin e integruar të tokës është ndërtuar kryesisht mbi disa ligje të veçanta që lidhen me tokën, planifikimin hapësinor, mjedisin dhe zhvillimin rural. Dhe nuk ka një ligj të vetëm që i përmbledh të gjitha, por një paketë aktesh ligjore dhe nënligjore të cilat kanë nevojë të përmblidhen në një draft të vetëm dhe të rishikuar për t’iu përshtatur zhvillimeve të dekadës së fundit por dhe administrimit më të mirë të problematikave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat