Shqipëria Postuar më 16 Maj 2025, 14:30

Çfarë është Komuniteti Politik Europian? Shqipëria, në qendër të Europës. Tirana priti samitin politik

Nga Xhorxhina Deda

Çfarë është Komuniteti Politik Europian? Shqipëria,

Në kryeqytetin e Shqipërisë u zhvillua takimi i gjashtë i Komunitetit Politik Europian, i cili është një forum ndërqeveritar që synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin midis vendeve europiane, si brenda ashtu edhe jashtë Bashkimit Europian. Ky komunitet nuk është një institucion i BE-së, por një platformë e re për të trajtuar sfida të përbashkëta në kontinent. Ideuesi i saj është presidenti francez Emmanuel Macron, në një përpjekje për ta mbajtur të bashkuar kontinentin, përballë kërcënimeve që vinin nga Rusia, e cila së bashku me Bjellorusinë u lanë qëllimisht jashtë këtij forumi.

Qëllimi i krijimit të këtij komuniteti është të forcojë lidhjet politike midis vendeve europiane, të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe bashkëpunimin strategjik në fusha si energjia, mbrojtja, migracioni dhe infrastruktura.

Përfshin të gjitha vendet europiane si ato të BE-së, ashtu edhe ato jashtë saj, si Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Shqipëria, Serbia, Zvicra, Norvegjia, Turqia etj. Janë gjithsej rreth 47 vende të ftuara.

Shqipëria ka marrë pjesë aktive në këtë iniciativë, duke qenë pjesë e samiteve të Komunitetit Politik Europian dhe duke e konsideruar këtë si një mundësi për të rritur rolin e saj në debatet kontinentale dhe për të përshpejtuar integrimin në BE.

Komuniteti politik mblidhet dy herë në vit, duke u alternuar mes një vendi të BE dhe një vendi jashtë saj. Takimi i parë u mbajt në Pragë në 6 tetor të vitit 2022, ndërsa i fundit në radhë ishte nëntorin e kaluar në Hungari.

Samiti i gjashtë bashkoi liderë nga e gjithë Europa, dhe u bashkë-organizua nga Presidenti i Këshillit Europian, António Costa dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në samit u diskutua siguria e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen evropiane, ruajtjen e demokracisë, si dhe gatishmërinë dhe aftësinë për t'iu përgjigjur kërcënimeve të ndryshme. Tre ishin tematikat e diskutuara, si sigurimi i Europës dhe forcimi i qëndrueshmërisë demokratike, Europë për 600 milionë qytetarë, përfshirë rritjen e konkurrencës dhe sigurisë evropiane përmes inovacionit dhe elasticitetit, si dhe një Europë e hapur me kufij të sigurt.

Samitet Europiane të zhvilluara në vendin tonë së fundmi i kanë dhënë një tjetër pamje Shqipërisë në sytë e shteteve të tjera, gjithmonë nëse flasim për shtyllën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Rikujtojmë se në Indeksin e Fuqisë së Butë për vitin 2024, Shqipëria renditet ndër pesë vendet me rritjen më të lartë në botë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat