Shqipëria Postuar më 22 Maj 2026, 12:45

Evazioni tatimor, rriten procedimet penale - 27.6% më shumë në 2025-ën. Fshehën të ardhurat, kryeson Tirana

Nga Elisabeta Dosku

Evazioni tatimor, rriten procedimet penale - 27.6% më shumë në

Veprat penale në lidhje me taksat dhe tatimet në vitin 2025 kanë pësuar një rritje prej 27,6 % të numrit të procedimeve të regjistruara dhe rritje prej rreth 14,3 % të numrit të procedimeve të dërguara në gjykatë në krahasim me vitin 2024.

Të dhënat nga raporti vjetor i Prokurorisë së Përgjithshme, tregojnë  se për këto grupvepra penale vihet re një rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2024 prej 90,9 %, rritje e numrit të të pandehurve të cilët janë dërguar në gjykatë prej 33,3 % dhe ulje e numrit të të pandehurve të dënuar nga gjykata me 20,8 %.

Fshehja e të ardhurave është ndër veprat kryesore e cila zë 65,7 % për vitin 2025. Nga të dhënat statistikore të vitit 2025 vërehet tendenca në rritje prej 44 % e numrit të procedimeve të regjistruara për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” në krahasim me vitin 2024.

Moslëshimi i kuponit, dëftesës ose faturës tatimore dhe ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar, zë 26,4 % dhe mospagimi i taksave dhe i tatimeve zë një peshë prej 6.3%  ndërkohë që në vitin 2024 ka qenë 12 %.

Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për vepra penale në lidhje me taksat dhe tatimet është në prokuroritë pranë gjykatave së shkallës së parë Tiranë  me 29 % e numrit total të procedimeve të regjistruara, Durrës dhe Vlorë, përkatësisht me nga 10 % të procedimeve të regjistruara, Shkodër dhe Korçë 9 % të numrit total të procedimeve të regjistruara, etj.  Ndërsa numri më i ulët  është në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë Gjirokastër ku janë regjistruar 1 % e numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi.

Të dhënat socio-demografike të të pandehurve për këto grupvepra penale, si gjinia, mosha, arsimi, gjendja shoqërore, vendbanimi e gjendja gjyqësore,  tregojnë se  85,23  prej tyre janë meshkuj.

Në lidhje me arsimin e të pandehurve rezulton se 10,7 %  janë me arsim deri 9- vjeçar, 58,3 % me arsim të mesëm dhe 30,9 % e të pandehurve me arsim të lartë. Për këto vepra rezultojnë të marrë si të pandehur edhe 5 shtetas të huaj.

Sa i përket gjendjes shoqërore, 92,8 % e të pandehurve rezultojnë të punësuar në sektorin privat.

Në lidhje me gjendjen gjyqësore të të pandehurve, 97 % janë të padënuar më parë, 3 % e tyre janë përsëritës për vepra penale të ndryshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat