Shqipëria Postuar më 17 Nëntor 2025, 12:14

Evazioni fiskal, kritik bashkëpunimi mes agjencive - Prezantohet programi i OECD. Binaj: Të arrijmë standardet më të larta në hetimin tatimor

Nga Ledina Elezi

Evazioni fiskal, kritik bashkëpunimi mes agjencive - Prezantohet programi i

Bashkëpunimi ndërmjet agjencive është kritik për hetimet tatimore dhe luftën kundër evazionit fiskal. Është prezantuar në Shqipëri programi i hetimeve penale “Inspektorët Tatimorë  Pa Kufij” nga OECD dhe UNDP, i cili ofron prej vitesh mbështetje për vendet në zhvillim, me qëllim që të nxitet bashkëpunimi ndërmjet agjencive për evidentimin e krimeve tatimore, por edhe të hartohen një set rekomandimesh për mbushjen e hendekut që ekziston aktualisht.

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që është edhe institucioni pritës i këtij programi, u shpreh se agjencitë e zbatimit të taksave duhet të forcohen për t'u linjëzuar me praktikat më të mira.

“Ky ëorkshop do të sjellë më shumë kompetenca dhe profesionalizëm për Administratën Tatimore të Shqipërisë dhe ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që ofrohet nga OECD, Guardia di Finanza dhe të gjithë partnerët e tjerë. Si administratë tatimore, zbatimi është një  pjesë shumë e rëndësishme e punës tonë, kjo është edhe arsyeja pse që nga momenti që unë jam caktuar në këtë detyrë një vit më parë kam dashur ta forcoj këtë funksion si një nga prioritetet e mia kryesore. Qëllimi ynë ndaj tatimpaguesve nuk është që t'i penalizojmë, por t'i edukojmë ata. Është e rëndësishme që të mësojmë nga njëri-tjetri, se si të arrijmë standardet më të lartë të bashkëpunimit”, tha Ilir Binaj.

I pranishëm ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, sipas të cilit bashkëpunimi midis agjencive ligjzbatuese duhet të kalojë në një stad tjetër, ku hetuesit përkatës të ndajnë më tepër informacion me njëri-tjetrin.

“Bashkëpunimi mes agjencive tona ligjzbatuese duhet të kalojë në një  stad më të avancuar për t'ju përgjigjur sfidave të kohës. Sigurisht, evazioni nuk mund të luftohet në mënyrë të shkëputur, nga secila agjenci veçmas. Sado të suksesshëm të jemi ne në përditshmërinë tonë, pasi zinxhiri i shmangies së evazionit fillon si kontrabandë në doganë në momentin e importit të mallrave detyrimisht do të vazhdojë si evazion në strukturat tatimore dhe domosdoshmërisht do t'i shmanget apo të bëjë deklarim të rremë në lëvizjes e parasë”, u shpreh Gazheli.

Ndërkohë, Drejtori i Hetimit Tatimor, Anton Martini listoi disa nga sfidat e Shqipërisë për të pasur një luftë më efiçiente ndaj evazionit fiskal. 

“Rritja e kualitetit të burimeve njerëzore dhe trajnimi i tyre, përgatitja për një përballje efikase ndaj ekonomisë digjitale, rritja e bashkëpunimit ndërmjet faktorëve vendas dhe ndërkufitar, aplikimi i metodave të avancuara të teknologjisë, përdorimi i inteligjencës artificiale”, theksoi Martini.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë deklaruan se sfidat në hetimin e krimeve fiskale vijnë edhe nga niveli i lartë i parasë fizike që qarkullon aktualisht, teksa u shprehën ndër të tjera që lufta ndaj evazionit fiskal nuk është vetëm për të fituar më shumë të ardhura, por për të siguruar edhe më shumë drejtësi.

Ky program do të zbatohet në vendin tonë për një periudhë prej 2 vitesh.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat