Shqipëria Postuar më 4 Mars 2025, 13:34

Euro sërish në “vend numëro” - BSH: “Ngec” poshtë 100 lekëve. Rimëkëmbja e janarit, sa u shfaq në eksporte?

Nga Ledina Elezi

Euro sërish në “vend numëro” - BSH:

Që prej janarit, duket se kursi i këmbimit euro-lek nuk po shfaq më shenja përmirësimi. Por, si ka qenë konkretisht ecuria e tij në dy muajt e parë të vitit?

Gjatë gjithë javës së parë të janarit, leku ka qëndruar relativisht i fortë, duke u luhatur mes 98.14 dhe 98.23, dukshëm më i ulët se normat e vërejtura në fund të janarit dhe shkurtit. Pas pesë muajsh me euron që këmbehej me më pak se 100 lekë, janari do të shënonte kthesën.

Tendenca e dobësimit të lekut filloi në mesin e janarit dhe arriti kulmin në fund të muajit. Vetëm një ditë, më 30 janar 2025, norma arriti pikën më të lartë në 100,06 lekë për euro, duke shënuar momentin më të dobët për lekun në këtë periudhë. Në këtë moment kërkoheshin më shumë lekë për të blerë një euro, që tregon për një nënçmim, pra një dobësim të monedhës shqiptare.

Arsyet pas këtij nënçmimi mund të përfshijnë kërkesën më të lartë për euro, tendencat e mundshme ekonomike sezonale, ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë ose presionet e jashtme financiare që ndikojnë në ekonominë shqiptare.

Pasi arriti në pikën më të dobët në fund të janarit, leku nisi të rifitonte fuqinë në shkurt. Kursi i këmbimit ra sërish nën 99 lekë për euro. Gjatë gjithë muajit shkurt, norma u luhat në një gamë të ngushtë midis 98.76 dhe 99.23, duke treguar më pak luhatshmëri krahasuar me janarin.

Ndërkohë, marsi ka nisur me një tendencë të qëndrueshme të kursit të këmbimit. Luhatjet janë më pak ekstreme krahasuar me janarin, duke sugjeruar një periudhë stabiliteti relativ në tregun e valutës.

Rimëkëmbja e euros në muajin e parë të vitit, u reflektua te tregtia e jashtme, tek eksportet të cilat u përmirësuan disi, ndërsa ndikoi negativisht importet që kryhen në euro, pasi ato bëhen më të shtrenjta.

Euro sërish në “vend numëro” - BSH:

Në janar 2025, eksportet e mallrave arritën vlerën e 31 miliardë lekë, duke u rritur me 4,9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 21,7%, në krahasim me dhjetor 2024. Importet e mallrave arritën vlerën 60 mld lekë, duke u rritur me 0,1%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 23,5%, në krahasim me dhjetor 2024.



Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat