Shqipëria Postuar më 14 Mars 2026, 11:06

Euro ndal rënien, ngjitet sërish mbi 96 lekë - Dollari realizon fitime më të mëdha, mbështetet nga lufta në Iran

Nga Lidion Kulla

Euro ndal rënien, ngjitet sërish mbi 96 lekë - Dollari realizon

Gjatë javës që sapo u mbyll, monedhat kryesore të huaja kanë shfaqur një tendencë në rritje në raport me lekun, në tregun e brendshëm valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro ka shënuar një rritje të lehtë në pjesën më të madhe të javës, ndërsa dollari amerikan është forcuar çdo ditë, me përjashtim të së hënës.

Pasi preku nivelin më të ulët historik më 5 mars, euro shfaqi shënja rimëkëmbje gjatë kësaj jave dhe u rrit gradualisht deri në 96.14 lekë të enjten. Megjithatë, në sesionin e së premtes, monedha europiane pësoi një rënie të lehtë, duke u mbyllur në rreth 96.08 lekë.

Pavarësisht rritjes së lehtë, euro vijon të tregtohet pranë niveleve më të ulëta historike, në raport me lekut. Në këtë periudhë, normalisht duhej të kishte ndodhur e kundërta, sepse nuk ka flukse të mëdha të monedhës europiane në ekonominë tonë. Megjithatë, një arsye mund të jetë fakti që Banka e Shqipërisë ka qënë më pak aktive me blerjen e monedhës në tregun e brendshëm dhe ka lejuar që kursi të ndjekë rrjedhën normale.

Ndryshe nga euro, dollari amerikan ka shfaqur një tendencë më të qartë forcimi, si pasojë e rritjes në tregjet ndërkombëtare, i ndikuar nga lufta në Iran. Pas një rënieje të lehtë në fillim të javës, kursi i dollarit u rrit gradualisht, duke arritur në fund të javës rreth 83.89 lekë, niveli më i lartë që nga fillimi i nëtorit të vitit 2025.

Edhe në tregjet ndërkombëtare, dollari amerikan ka vijuar rritjen, duke publikuar fitime për të dytën javë me radhë, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme i shtyu investitorët drejt aseteve të sigurta, ku bën pjesë edhe monedha e gjelbër. Që nga fillimi i luftës, dollari është forcuar ndjeshëm në raport me euron dhe e mbylli javën në 1.14 nga rreth 1.18 që kuotohej përpara se të fillonte konflikti në Lindjen e Mesme, dy javë më parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat