Shqipëria Postuar më 25 Korrik 2025, 10:48

Tërmetet, si bëhet dëmshpërblimi kur ke dy sigurime? Drafti/ Mbulohen ato me fuqi mbi 5 ballë. Me shitjen e pronës transferohet polica

Nga Elisabeta Dosku

Tërmetet, si bëhet dëmshpërblimi kur ke dy sigurime? Drafti/

Individët që kanë bërë sigurim vullnetar të banesave të tyre, nuk do t’i “shpëtojnë” sigurimit të detyrueshëm të pronave nga tërmetet.

Në këtë kategori përfshihen edhe të gjithë ata qytetarë që kanë siguruar banesat për efekt të kredive hipotekore, ku në këtë rast, sigurimi mbulon vetëm shumë e kredisë së marrë nga bankat tregtare.

Referuar projektligjit të ri të Ministrisë së Financave, të hedhur për konsultim publik, në rastin kur një individ figuron me dy polica sigurimi, ka një specifikë në dëmshpërblimin e tyre nëse përballen me dëme materiale të shkaktuara nga tërmetet.

Sipas pikës 6 të nenit 14 të projektligjit, “në rastin kur një person është i siguruar si me një kontratë të detyrueshme ashtu edhe nëpërmjet një kontrate sigurimi vullnetare, pagesa e dëmshpërblimit bëhet sipas kushteve të sigurimit të detyrueshëm. Për shumën e siguruar që tejkalon vlerën e kontratës së sigurimit të detyrueshëm, pagesa bëhet sipas kontratës së sigurimit vullnetar”.

Po ashtu, në draft sqarohen edhe rastet se çfarë ndodh kur një individ shet pronën të cilën e ka të siguruar.

Sipas nenit 9  “Në rast të ndryshimit të pronarit ose poseduesit të banesës së siguruar, kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet i kalon pronarit ose poseduesit të ri”. 

Por pronari i ri, në këtë situatë, është i detyruar të informojë brenda 15 ditëve kalendarike Fondin për Tërmetet për ndryshimin e pronësisë.

Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet zbatohet për pronave të paluajtshme si banesa apo seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi, zyra apo për qëllime të tjera të ngjashme.

Por  nuk zbatohet për ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër - kallami  ose të tjera të ngjashme si dhe ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.

Policat e sigurimit mbulojnë ngjarjet nga tërmeti të cilat nënkuptojnë një tërmet me magnitudë 5 ose më të lartë të shkallës rihter i cili ka ndodhur në Shqipëri ose në rajonet ngjitur dhe ka sjellë dëme në vend.  Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me  qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre.  Buxheti i shtetit financon primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat