Shqipëria Postuar më 20 Qershor 2026, 10:48

ERE zgjeron kompensimet për furnizuesit e energjisë/ Përfshihen edhe kostot nga disbalancat negative të shkaktuara nga ndërprerjet në rrjet

Nga Ola Mitre

ERE zgjeron kompensimet për furnizuesit e energjisë/ Përfshihen

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar ndryshime në rregulloren për standardet e cilësisë së shërbimit në rrjetin e shpërndarjes, duke zgjeruar mekanizmin e kompensimit për furnizuesit e energjisë elektrike që operojnë në tregun e liberalizuar.

Ndryshimi kryesor lidhet me trajtimin e disbalancave në treg. Deri më tani rregullorja parashikonte kompensim vetëm për disbalancat pozitive, ndërsa me vendimin e ri përfshihen edhe disbalancat negative, të cilat mund të krijohen si pasojë e ndërprerjeve të paplanifikuara në rrjetin e shpërndarjes.

Sipas ERE-s, furnizuesit e energjisë përballen me kosto si nga disbalancat pozitive ashtu edhe nga ato negative në tregun e balancimit. Në rastet kur një prodhues i energjisë nuk arrin të furnizojë energjinë e kontraktuar për shkak të problemeve në rrjet, furnizuesi mbetet pa sasinë e nevojshme për klientët e tij dhe detyrohet të mbulojë diferencën në tregun e balancimit, duke u ekspozuar ndaj kostove shtesë. Për këtë arsye, ERE vlerësoi se mekanizmi ekzistues ishte i paplotë dhe pranoi propozimin e Shoqatës Shqiptare të Furnizuesve të Energjisë Elektrike për zgjerimin e skemës së kompensimit.

Vendimi parashikon që në rastet e ndërprerjeve të paplanifikuara, me përjashtim të rasteve të forcës madhore, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes të kompensojë furnizuesit jo vetëm për energjinë e pashpërndarë që krijon disbalanca pozitive, por edhe për kostot që lidhen me disbalancat negative.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat