Shqipëria Postuar më 30 Korrik 2026, 11:52

ERE miraton çmimet negative në bursën e energjisë/ Kufiri minimal për tregun e ditës në avancë zbret në -50 euro/mWh

Nga Ola Mitre

ERE miraton çmimet negative në bursën e energjisë/ Kufiri

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar ndryshimin e kufirit minimal të lejuar të çmimit për tregun e ditës në avancë në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX, duke i hapur rrugë aplikimit të çmimeve negative në treg. Me vendimin e ri, kufiri minimal zbret nga 0 euro/mWh në -50 euro/mWh, ndërsa kufiri maksimal mbetet i pandryshuar në 900 euro/mWh.

Ndryshimi vjen pas kërkesës së depozituar nga ALPEX, e cila argumentoi se zhvillimet në tregjet evropiane dhe rajonale kanë shtuar rastet e çmimeve negative, ndërsa edhe në bursën shqiptare janë regjistruar urdhërporosi me vlera nën zero. Sipas ERE-s, vendimi synon të rrisë fleksibilitetin e tregut dhe ta afrojë atë gradualisht me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të tregjeve të bashkuara të energjisë.

Në vendim, Enti thekson se gjatë vitit 2025 volumet e energjisë të tregtuara në ALPEX u rritën me rreth 39% krahasuar me një vit më parë, ndërsa vetëm në zonën e ofertimit të Shqipërisë u tregtuan mbi 1 mln mWh, ose rreth 26% më shumë se në vitin 2024. Tendenca e rritjes ka vijuar edhe gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026, kur sasia e energjisë së tregtuar pothuajse u dyfishua në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

ERE argumenton gjithashtu se mekanizmi aktual nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Sipas të dhënave, nga janari deri më 18 prill 2026 janë regjistruar 13 raste kur çmimi arriti kufirin minimal prej 0 euro/mWh, por në asnjë prej tyre anëtarët e bursës nuk ndryshuan ofertat gjatë aktivizimit të ankandit të dytë. Për këtë arsye, rregullatori vlerëson se vendosja e kufirit të ri prej -50 euro/mWh do të krijojë më shumë fleksibilitet për funksionimin e tregut dhe për procesin e klerimit të ofertave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat