Shqipëria Postuar më 27 Dhjetor 2025, 11:19

ERE, detyrime për prodhuesit e energjisë/ Raportoni sigurimin e aseteve dhe punonjësve brenda 31 janarit

Nga Ola Mitre

ERE, detyrime për prodhuesit e energjisë/ Raportoni sigurimin e

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar një vendim të ri që forcon detyrimet e subjekteve të licencuara në prodhimin e energjisë elektrike, duke vendosur një afat të unifikuar për raportimin e informacionit mbi sigurimin e aseteve dhe të jetës dhe shëndetit të punonjësve.

Vendimi përcakton se të gjithë prodhuesit e licencuar të energjisë elektrike do të duhet të raportojnë pranë ERE-s, deri më 31 janar të çdo viti, informacionin që lidhet me përmbushjen e detyrimeve për sigurimin, sipas kushteve të licencës dhe kontratave për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centraleve gjeneruese.

Sipas arsyetimit të vendimit, detyrimi për sigurimin e aseteve dhe të punonjësve është i parashikuar si në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, ashtu edhe në licencën tip për prodhimin e energjisë elektrike, e cila kërkon që sigurimi të realizohet jo më vonë se 30 ditë nga lëshimi i licencës. Ky detyrim është reflektuar gjithashtu edhe në kontratat e lidhura ndërmjet subjekteve prodhuese dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e autoritetit kontraktor.

ERE vlerëson se, deri më tani, praktika e raportimit ka qenë e paunifikuar, çka ka krijuar vështirësi në monitorimin e zbatimit të kushteve të licencës. Vendosja e një afati të vetëm vjetor synon disiplinimin e raportimit, rritjen e transparencës dhe forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes ndaj subjekteve të licencuara në prodhimin e energjisë elektrike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat