Shqipëria Postuar më 12 Qershor 2025, 10:53

Energjia e erës në det, BERZH asiston Shqipërinë - Synohet diversifikimi i burimeve të prodhimit, sidomos në stinët e thata

Nga Dorian Koça

Energjia e erës në det, BERZH asiston Shqipërinë - Synohet

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) miratoi të enjten një program, që synon të ndihmojë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të zhvilluar energjinë e erës në det të hapur.

Në dokumentin e bankës theksohet fakti se, sistemi energjetik shqiptar dominohet nga hidrocentralet, që përbëjnë 95% të kapacitetit të instaluar të vendit me një total prej 2,096 MW të instaluar, duke e bërë kështu Shqipërinë vendin me pjesën më të lartë të gjenerimit të energjisë së rinovueshme në Evropën Juglindore. Kapaciteti i instaluar hidroenergjetik përfshin kryesisht impiante të mëdha (mbi 10 MW) që prodhojnë 1,904 MW, ndërsa impiantet e vogla hidroenergjetike arrijnë në 192 MW.

Sipas BERZH, varësia nga sistemi hidro konsiderohet të bëhet më kritik për shkak të ndryshimeve klimatike, me stinë verore gjithnjë e më të nxehtë dhe të thatë kur reshjet janë në sasinë e tyre më të ulët dhe kërkesa për energji elektrike është në nivelin e saj më të lartë. Zakonisht në korrik dhe gusht, Shqipëria regjistron nivelet më të larta të importeve duke qenë se nuk ka reshje të mjaftueshme për të prodhuar energji elektrike nga hidrocentralet.

Si rezultat, vendi synon të diversifikojë burimet e gjenerimit, ku energjia diellore dhe e erës janë dy burimet më prioritare që do të zhvillohen në periudhë afatshkurtër, si pjesë e një tranzicioni më të gjerë drejt një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe të dekarbonizuar. “Diversifikimi i prodhimit përmes centraleve të erës në det të hapur, si teknologji, ka përparësi të tilla si prodhim më i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm, si dhe plotësim më i madh sezonal dhe ditor i kërkesës. Eksplorimi i kësaj teknologjie sjell një zhvillim të rëndësishëm dhe koherent të prodhimit të energjisë në vend”, përfundon dokumenti i miratuar nga BERZH.

Aktualisht, në Shqipëri nuk prodhohet energji nga era, ndërsa në fund të vitit të kaluar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë mbërritën 2 aplikime për ndërtimin e centraleve për prodhim nga ky burim energjie.

Të dy projektet janë parashikuar të zhvillohen në Bashkinë Vau i Dejës, teksa kapaciteti i parashikuar për t’u instaluar në njërin projekt është 22.8 MW, ndërsa në tjetrin 17.1 MW. Aplikime të ngjashme u paraqitën edhe më herët gjatë vitit për centrale të mëdhenj eolikë. Njëri prej tyre përfshinte një kapacitet të instaluar prej 120 MW, ndërsa tjetri 55 MW.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, aktualisht janë vetëm 2 kompani të licencuara në prodhimin e energjisë elektrike nga era, por impiantet nuk kanë hyrë ende në prodhim.

Në korrik 2023, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli projektet fituese të Ankandit për Parqe Eolike, duke kualifikuar 3 kompani, me kapacitet total prej 222.48 MW.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat