Shqipëria Postuar më 30 Dhjetor 2024, 20:17

Ekskluzive/ Flet zëvendëskryeministrja Belinda Balluku - 2024, ishte viti i infrastrukturës. Në 2024 prioritet Korridori VIII

Nga Diamila Leka
Ekskluzive/ Flet zëvendëskryeministrja Belinda Balluku - 2024, ishte

Punimet e kantierit të Unazës së Madhe të Tiranës kanë përfunduar, ndërsa është hapur tërësisht qarkullimi i automjeteve. Unaza e madhe e Tiranës ka një gjatësi prej 28.7 km, ndërsa shpejtësia e lejuar do të jetë deri në 90km/h.

Zonja Zëvendëskryeministre, çfarë do të thotë për ju ky projekt i madh infrastrukturës që sapo është hapur dhe çdo gjë është gati?

Zëvëndëskryeministrja Belinda Balluku: Ky do të thotë një fundvit ashtu siç duhet të jetë, kjo do të thotë një arritje e jashtëzakonshme për insfrastrukturën shqiptare, dhe kjo do të thotë një kolaudim i të gjitha forcave të bëra sëbashku si të ndërtuesve shqiptarë, ashtu dhe të Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë. Ka qenë nja nga projektet më të vështira, jo përsa i përket anës inxhinierike, pasi kemi parë edhe më të vështira se kaq, por përsa i përket kompleksitetit që ka pasur në të gjithë komponentët. E para punës është një projekt që kalon mes për mes shumë zonave të banuara edhe na është dashur që në bashkëpunim me kryetarët e bashkisë si të Tiranës ashtu edhe të Kamzës të dalim nga një proces i vështirë, ku është bërë rivendosja e 654 familjeve apo banesave, se mund të ketë pasur edhe më shumë familje të cilat janë sistemuar me ndihmën e bonuesve të vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare por nga ana tjetër me premtimin për shtëpitë sociale që ata do marrin, kështu që e para ka qenë kjo. Ka qenë kompleksiteti social, ashtu si në Unazë të Re, edhe unaza veriore, ka pasur të njëjtin problem. Nga ana tjetër padyshim kemi pasur kompleksitet pasi ka qenë një zonë e banuar, ku kalonin linjat e transmetimit, apo edhe linjat e shpërndarjes së energjisë elektrike edhe në bashkëpunim të ngushtë me OST dhe OSHEE, ARRSH dhe kompanitë ndërtuese kanë bërë të mundur spostimet në kohë por duke pasur parasysh që kanë qenë sfida të mëdha këto duke ruajtur që transmetimi, apo shpërndarja energjitike të ishte e paprekur, që qytetarët të mos ta ndjenin.

Nga ana tjetër, Tirana njihet për burimet ujore nëntokësore të cilat janë të shumta pikërisht këtu ku jemi në Lotin I, aty ku lidhet Shqiponja me Unazën veriore. Ne kemi gjetur një burim ujor të konsiderueshëm, i cili është vendosur për të qenë i kontrolluar, dhe për të mos krijuar gërryerje nënshtresat që kemi punuar gjatë gjithë kësaj kohe. Gjithashtu një problem tjetër që kemi pasur, ka qenë në disa zona gjeologjia, dhe padyshim koha, afati kohor.

 Siç e tha dhe kryeministri para pak, dukej sikur nuk do mbaronte kurrë. Për të thënë të drejtën nuk e kemi shkelur me asnjë ditë afatin kontraktual, tashmë është bërë traditë për ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë që të gjitha projektet të dorëzohen në afat ose para afati, por me të vërtetë Unaza e Tiranës, ngaqë ishte një volum shumë i madh dukej sikur nuk do të përfundonte.

Unë dua të falenderoj në këtë rast, të gjitha kompanitë të cilat kanë ndërtuar këtë vepër, mbasi është bërë një punë e jashtëzakonshme. Kriteret janë ruajtur përsa i përket anës teknike, por edhe të gjitha kriteret e mobilimit urban. Kjo është një infrastrukturë, pra një rrugë e kategorisë A urbane.

Siç e shikoni qoftë ndriçimi, qoftë mbikalimet, mikalimet e këmbësorëve që do t’i shihni në lotet e tjera, por edhe gjithçka, gjelbërimi dhe gjithçka kërkohet, janë ruajtur të gjithë parametrat pavarësisht afatit kohor.

Megjithatë duhet të thënë na ka ngelur disa punë të vogla, të cilat nuk afektojnë lëvizjen në Unazë dhe që kanë të bëjnë me rampat apo me disa elementë, siç janë barrierat kundër zhurmës apo elementë të tjerë të cilët do të përfundojnë të gjitha deri në fund të janarit.

Jemi në përmbyllje të 2024-ës, si do shihej viti 2024 në këndvështrimin tuaj përsa i përket të gjitha investimeve infrastrukturore?

Zëvëndëskryeministrja Belinda Balluku: 2024 ka qenë një vit shumë i mbarë për ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, përsa i përket të gjitha dorëzimeve apo të gjitha hapave të reja që kemi hedhur. Siç po e mbyllim vitin duke dorëzuar shumë të rëndësishme, jo vetëm për kryeqytetin, por unë do të thoja për të gjithë infrastrukturën rrugore shqiptare.

Nga ana tjetër duhet thënë që të gjitha kantieret kanë ecur më së miri. Mos harrojmë që 2024-ën kemi dorëzuar tunelin e Llogarasë. Tuneli i Llogarasë ka qenë ëndërr në sirtar e çdo qeverie. Dukej sikur ishte unicorn Eleonor që nuk kapej kurrë, por ne normalisht e bëm realitet. Gjatë vitit 2024 janë hapur një sërë kantieresh të reja të cilat po ecin më së miri, siç është kantieri i autostradës, pra zgjerimi dhe rihabilitimi i Tiranë-Durrës, apo siç është rruga e Plepave dhe Ndroqit, që është një aks shumë i rëndësishëm edhe për agroturizmin, por edhe si një alternativë për autostradën shumë të ngarkuar të Tiranë-Durrësit.

Punohet në Berat-Ballaban, më ritme të shpejta. Punohet në Korridorin VIII padyshim. Atje do përqëndrohemi sepse sigurisht ne kemi një listë prioritetesh dhe varet ku përqëndrohet edhe e gjithë vëmendja e ministrisë dhe ARRSH.

Tashmë korridori i tetë është ai ku ne patjetër do të përqëndrohemi. Sot kemi miratuar me VKM, tre kontrata shumë të rëndësishme që vazhdojnë Korridorin Blu. Kemi hedhur një hap në fund të qershorit me hapjen e segmentit të parë, segment që ka çliruar një trafik të jashtëzakonshëm, sidomos gjatë sezonit turistik, në zonën e Thumanës dhe të Krujës, dhe tashmë do të pasohet edhe nga pejsa tjetër e korridorit që është nga Thumana, në drejtim të Milotit, dhe nga ana tjetër kemi edhe pjesën që fillon nga Kashari deri në Lekaj, në Rrogozhinë dhe nga Lekaj deri te Bypass të Fierit.

Duke e plotësuar kështu pothuajse të gjithë korridorin. Por njëkohësisht është hapur edhe gara ndërkombëtare për pjesën nga Miloti në Balldre, një segment shumë i pritur nga nga të gjithë shkodranët dhe Lezhjanët. Kështu që ne besojmë që do të jemi edhe me atë brenda afateve.

Kështu që 2024 pa frikë mund të quhet viti i infrastrukturës me tunelin e Llogarasë, Unazën e Madhe të Tiranës të përfunduar dhe Thumanë-Kashari e hapur të të gjitha kantieret e tjera.

2025 është viti i korridorit të VIII. Padyshim aty do të përqëndrojmë të gjithë forcat tani dhe duke parë dhe të gjithë ngarkesën që ka trafiku në zonën e Elbasanit. Nevojë e domosdoshme është dhe Bypass-i i Elbasanit. Ka ardhur koha që Bypass-ohet qyteti.

Ne kuptojmë që është rritur numri i automjeteve, ne kuptojmë që gjatë muajit dhjetor, pasi ai nuk është një fenomen që ndodh edhe në nëntor, apo edhe në kohë të tjera, ndodh gjatë sezonit, në fundjavat e sezonit, dhe ndodh dhe gjatë muajit dhjetor duke pasur parasysh edhe luksin e shtuar që vjen nga automjetet me qira që merren ose nga njerëzit që vijnë nga diaspora për vizitë por edhe nga turistët e huaj që tashmë e vizitojnë Tiranën dhe gjatë dimrit.

Por padyshim ai është prioriteti ynë, Korridori VIII, që vazhdon në drejtim të Rrogozhinës. Pra tashmë janë hapur kantieret në drejtim të Rrogozhinës, nga Elbasani në drejtim të Rrogozhinës dhe pjesa më e rëndësishme mbetet Bypass-i i Elbasanit, i cili do të akomodojë hyrjet dhe daljet në kryeqytet apo dhe ato që shkojnë në Jug dhe Lindje të vendit.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat