Shqipëria Postuar më 11 Korrik 2025, 10:06

Ekselentët “ëndërrojnë” mjekësinë - Aplikimet për arsimin e lartë. Pjesa tjetër zgjedhin ekonominë

Nga Hamit Yzeiraj

Ekselentët “ëndërrojnë” mjekësinë -

Në një kohë kur teknologjia dhe kujdesi shëndetësor po përcaktojnë ritmin e botës moderne, edhe ëndrrat e të rinjve shqiptarë duket se ecin në të njëjtin drejtim.

Sipas të dhënave të publikuara nga Portali Studentor, në fazën e parë të aplikimeve për arsimin e lartë publik në Shqipëri, Mjekësia e Përgjithshme është preferenca kryesore e maturantëve me mesatare të lartë.

Më konkretisht, 26.42% e maturantëve që kanë një mesatare mbi 8.5 e kanë renditur Mjekësinë në zgjedhjet e tyre të para nga lista me 10 degë.

Por jo të gjithë mund të përfshihen në një degë me kërkesa kaq të larta. Ata që nuk arrijnë të kapin Mjekësinë, orientohen menjëherë drejt një tjetër fushe që po njeh rritje të ndjeshme interesi, informatika ekonomike. Nga të dhënat zyrtare, 11.81% e aplikantëve kanë shprehur interes për këtë degë.

Pas saj vijnë degët klasike të Financës, Administrimit të Biznesit dhe Ekonomiksit, në Universitetin e Tiranës.

Ndërkohë, edhe Drejtësia, si degë, vijon të ruajë pozitat e saj të qëndrueshme në listën e preferencave. Këtë vit, ajo paraqitet me një interes të lartë për shkak të kritereve më të favorshme në pranime, ku mesatarja për hyrje është më e ulët se në degët elitare të mjekësisë dhe informatikës. Për shumë maturantë, ajo përfaqëson një alternativë të sigurt, duke ruajtur profilin e saj klasik dhe të respektuar në shoqëri.

Kur vjen puna te kuotat e pranimit, ndryshe nga sa mund të pritej, numrat nuk kanë ndryshuar shumë nga një vit më parë. Drejtësia është ndër degët që ofron numrin më të madh të kuotave me 670 vende, duke pasuar nga Financa, Mjekësia, Administrimi i Biznesit, dhe më tej degë të tjera brenda fushave të ekonomisë dhe shëndetësisë.

 

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat