Shqipëria Postuar më 24 Nëntor 2025, 14:27

Eficienca e energjisë, gjoba për shkelësit - Masa administrative deri në 1.5 mln lekë për auditimet energjetike apo certifikimin ISO

Nga Ola Mitre

Eficienca e energjisë, gjoba për shkelësit - Masa administrative

Masa administrative për subjektet që nuk zbatojnë detyrimet mbi sistemet e menaxhimit të energjisë apo auditimet energjetike. Projektligji i ri “Për eficiencën e energjisë”, i nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukutrës dhe Energjisë, parashikon gjoba deri në 1.5 mln lekë për konsumatorët e mëdhenj të energjisë, njësitë e qeverisjes vendore dhe qendrat e të dhënave që nuk përmbushin kërkesat e përcaktuara në disa nene të dokumentit.

Kështu, mosplotësimi i detyrimeve për kryerjen e auditimeve energjetike apo certifikimi i sistemit të menaxhimit të energjisë sipas standardit ISO 50001 mund të ndëshkohet me gjobë deri në 1 mln lekë. Po ashtu, personat juridikë, publikë ose privatë, që kategorizohen si konsumatorë të mëdhenj energjie, si dhe njësitë e qeverisjes vendore janë të detyruar të punësojnë të paktën një menaxher energjie.  Menaxheri i energjisë është përgjegjës për mirëmbajtjen e pajisjeve që konsumojnë çdo formë energjie, përmirësimin dhe mbikëqyrjen e mënyrave të përdorimit të energjisë dhe kryerjen e detyrave të tjera për përdorimin racional të energjisë në ndërtesa dhe industri. Mos plotësimi i detyrimit për të punësuar një menaxher energjie gjithashtu penalizohet me 1 mln lekë gjobë.

Gjoba më të larta parashikohen në drejtim të ekspertëve të certfikuar për auditime, të cilët nëse nuk zbatojnë kriteret profesionale ose fshehin të dhëna teknike, rrezikojnë gjoba deri në 1.5 mln lekë, si dhe revokim të certifikatës deri në tre vjet.

Draftligji vendos gjithashtu detyrime të reja për qendrat e të dhënave, të cilat duhet të përgatisin plane veprimi dhe të raportojnë masat e kursimit të energjisë pranë agjencisë përgjegjëse. Mosplotësimi i këtyre detyrimeve shoqërohet me gjobë deri në 1 mln lekë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat