Shqipëria Postuar më 12 Nëntor 2025, 12:26

“Efekti i kursit në uljen e huamarrjes, vetëm 0.7%” - Malaj: Kemi marrë masa ndaj luhatjeve të mundshme

Nga Elisabeta Dosku

“Efekti i kursit në uljen e huamarrjes, vetëm 0.7%” -

Zhvlerësimi i euros ndaj lekut përgjatë këtij viti ka pasur një efekt minimal në uljen e borxhit publik, i cili parashikohet të ndjekë një trajektore rënëse përgjatë vitit 2026 në 53.6 përqind të PBB, dhe po ashtu edhe në periudhë afatmesme. 

Gjatë diskutimeve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë,  Ministri i Financave detajoi se sa ka qenë efekti real i kursit në këtë trend.

“Efekti i kursit të këmbimit për vitin 2025 ka qenë në masën 0.7 %, rezultati i rënies së borxhit publik vjen si rezultat i politikave të qeverisë. Borxhi duhet të vijë nga ulje nga viti në vit dhe deficitit buxhetor s’duhet të jetë më i lartë se investimet kapitale”.

Por i pyetur se çfarë ndodh me këtë borxh nëse hipotetikisht 1 euro shkon sërish në nivelin e 140 lekëve, Ministri theksoi se situata sërish do të jetë nën kontroll.

“Nëse kursi do të shkonte 140 lekë, kursi nuk lëviz 140 brenda ditës, javës apo brenda vitit, por në mënyrë hipotetike nëse do të shkonte 140 lekë, në buxhetin e shtetit ndodhet një fond kontigjence 6.2 mld lekë që mitigon rrisqet nga kursi i këmbimit dhe normat e interesit.  Borxhit që merret për investime kapitale është një borxh që përdoret për investime në infrastrukturë, digjitalizim, transport në mënyre që të përkthehet në rritje ekonomike”.

Sa i takon kontratave koncesionare, Ministri theksoi se ato nuk kontabilizohen në shifrën e borxhit publik, ndërsa nënvizoi se kostoja që paguan buxheti i shtetit për kontratat koncesionare aktualisht llogaritet në 1.7% nga 5% të lejuara, për të zbritur më tej në pastaj në 1.3 për qind në 2026-2027.

Nevoja bazë për huamarrje gjatë vitit 2026, llogaritet në 55.3 miliardë lekë, nga të cilat 45 miliardë lekë nga huamarrja e brendshme ndërsa financimi përmes burimeve të jashtme 10.3 miliard lekë për vitin 2026. Deficiti buxhetor për vitin 2026 planifikohet të jetë 2.3 për qind të PBB, duke qëndruar në të njëjtin nivel me atë të pritshëm për vitin 2025.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat