Shqipëria Postuar më 6 Nëntor 2025, 09:56

“Ecuri pozitive e rritjes ekonomike” - Guvernatori Sejko në takimin e Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore

Nga Dorian Koça

“Ecuri pozitive e rritjes ekonomike” - Guvernatori Sejko në

“Të dhënat makroekonomike në vend tregojnë për një ecuri pozitive të rritjes ekonomike, shoqëruar me një klimë të favorshme për zhvillim ekonomik afatgjatë, të mbështetur nga stabiliteti monetar e financiar”. Deklarata u bë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në takimin e 19-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore. Ndërkohë, Guvernatori vuri theksin tek pasiguritë e shumta dhe një sërë sfidash të reja që kërkojnë një qasje strategjike dhe fleksibilitet të politikave makroekonomike.

“Pasiguritë globale si pasojë e tensioneve gjeopolitike, ndryshimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve ndërkombëtare të energjisë e ushqimeve vazhdojnë të ndikojnë pritshmëritë e agjentëve ekonomikë dhe kushtet tregtare të vendit. Njëkohësisht, tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër dhe digjitale kërkon investime të mëdha publike e private, rritje të produktivitetit dhe përshtatje të strukturës së prodhimit. Nga ana tjetër, ndryshimet demografike, si plakja e popullsisë dhe emigracioni i vazhdueshëm i forcës së punës, po kufizojnë ofertën e burimeve njerëzore, duke ndikuar në potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike”.

Në këtë mjedis të ri, gati të paparashikueshëm, rritja ekonomike e qëndrueshme dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik është një sfidë më vete, e cila kërkon politika të kujdesshme monetare e fiskale, rritje të efikasitetit të tregjeve financiare dhe zhvillim të mëtejshëm të tyre.

Në këtë kontekst, nevojiten reforma të rëndësishme transformuese për të rritur produktivitetin përmes: inovacionit, investimeve, përmirësimit të klimës së biznesit, rritjes së konkurrencës, ngritjes së strukturave më të mira digjitale dhe përfshirjes më të gjerë financiare e ekonomike.

Sipas Guvernatorit, roli i Bankës së Shqipërisë është dhe do të mbetet thelbësor në këtë rrugëtim për garantimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat