Shqipëria Postuar më 7 Maj 2026, 17:23

“ECOFIN, dialogu vjetor me BE, zv.guvernatorja Ahmetaj: Ekonomia shqiptare po i përballon goditjet e jashtme

Nga SCAN TV

“ECOFIN, dialogu vjetor me BE, zv.guvernatorja Ahmetaj: Ekonomia shqiptare

Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë “Dialogu vjetor Ekonomik dhe Financiar midis BE-së dhe partnerëve rajonal”, i zhvilluar më 5 maj 2026 në Bruksel.

Ky dialog ministror u zhvillua në kuadër të takimit të Këshillit për Çështjet Ekonomike dhe Financiare (ECOFIN) dhe u organizua nga Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian. Në takimi morën pjesë përfaqësues të lartë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve rajonalë si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane.

Në fjalën e saj Zëvendësguvernatorja Ahmetaj ndau vlerësimet mbi situatën aktuale ekonomike dhe financiare, si dhe mbi pasojat që sjell peizazhi i sotëm gjeopolitik për ekonomitë e vogla dhe të hapura, përfshirë Shqipërinë. Ajo theksoi se zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht konfliktet e zgjatura, përbëjnë një burim të rëndësishëm rreziku për stabilitetin makroekonomik, kryesisht përmes ndikimit në çmimet e energjisë dhe pritjet inflacioniste.

Zj. Ahmetaj nënvizoi se ekonomia shqiptare paraqitet me tregues të qëndrueshëm makroekonomikë, duke evidentuar inflacionin e kontrolluar dhe një sistem bankar të shëndoshë si faktorë kyç në përballimin e goditjeve të jashtme. Ajo theksoi rëndësinë e ndjekjes së një politike fleksibël si dhe nevojën për koordinim të ngushtë ndërkombëtar për të minimizuar pasiguritë dhe për të rritur efektivitetin e politikave ekonomike.

Në përfundim, zj. Ahmetaj vlerësoi rëndësinë e këtij dialogu si një platformë e dobishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe partnerëve rajonalë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe financiar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat