Shqipëria Postuar më 9 Shtator 2026, 12:12

Durrësi zgjeron kanalizimet - Karakaçi: 85 milionë euro grant europian për impiantin dhe rrjetet e ujërave të ndotura

Nga Edel Strazimiri

Durrësi zgjeron kanalizimet - Karakaçi: 85 milionë euro grant

Kanë nisur në Durrës punimet për një nga projektet më të rëndësishme në sistemin e trajtimit të ujërave të ndotura. Investimi synon modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit, si dhe rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve në qytet.

Projekti mbështetet me rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Europian, ndërsa financimi plotësohet nga Agjencia Franceze për Zhvillim. Sipas ministrit të Infrastrukturës, Enea Karakaçi, bëhet fjalë për grantin më të madh të dhënë nga Bashkimi Europian për një projekt në Shqipëri.

Në total, projekti parashikon ndërtimin e rreth 113 kilometrave rrjete të reja kanalizimesh, 4 stacione pompimi dhe rreth 13 mijë lidhje të reja. Faza e parë përfshin impiantin dhe rrjetet kryesore, ndërsa faza e dytë do të shtrihet në Shkozet, Porto Romano dhe Spitallë.

Për fazën e dytë, Bashkimi Europian do të mbulojë përmes grantit rreth dy të tretat e vlerës së investimit. Synimi është zgjerimi i aksesit në sistemin e kanalizimeve dhe përmirësimi i trajtimit të ujërave të ndotura në zonat që po zhvillohen me ritme të shpejta.

Ministri Karakaçi e cilësoi projektin si një dëshmi konkrete të përfitimeve nga procesi i integrimit europian, duke theksuar se financimet europiane pritet të rriten me afrimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Sipas tij, për tre vitet e ardhshme, nga 2027 deri në 2030, është siguruar financimi për projekte të trajtimit të ujërave të ndotura me një vlerë totale prej rreth 330 milionë eurosh.

Investimet synojnë të përmirësojnë infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve, të reduktojnë ndotjen dhe të rrisin standardet e trajtimit të ujërave të ndotura, veçanërisht në zonat urbane dhe turistike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat