Shqipëria Postuar më 8 Prill 2026, 19:58

 Durrës, Ekonomia në rritje, bizneset më shumë vlera të shtuara dhe paga më të larta

Nga SCAN TV

 Durrës, Ekonomia në rritje, bizneset më shumë vlera

Shqipëria po përjeton një rritje të qëndrueshme ekonomike, e reflektuar kjo në zgjerimin e aktivitetit prodhues, rritjen e pagave dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Biznese të shumta e faktojnë këtë, një prej syresh kompleksi industrial në Durrës, ku operojnë disa kompani të integruara në transport, riciklim dhe përpunim industrial, të cilin e vizitoi sot Kryeministri Rama i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.

Ky kompleks përfaqëson një model të ri zhvillimi ekonomik, të mbështetur në investime në teknologji dhe në rritjen e aftësive profesionale, që përkthehen drejtpërdrejt në paga më të larta dhe në vende pune cilësore.

Kryeministri Rama u njoh nga afër me aktivitetin e kompanive, që kanë nisur si iniciativa modeste dhe janë transformuar në ndërmarrje moderne që operojnë me teknologji të avancuar. Një nga shembujt më domethënës është përpunimi i mbetjeve elektronike, nga të cilat krijohet vlerë e shtuar deri në prodhimin e artikujve të arit, duke e kthyer mbetjen në burim ekonomik.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mikpritjen për disponimin për ta pasur këtë bisedë. Natyrisht që arsyeja pse ne jemi këtu edhe me kamerat është për ta promovuar sa të mundemi shembullin e mirë të ndërmarrjeve shqiptare, të cilat si kjo ndërmarrje, ashtu si edhe e pamë nga prezantimi shumë dashamirës që na bënë themeluesit e kompanisë, kanë nisur me një ëndërr të madhe, por me mundësira jashtëzakonisht të kufizuara dhe hap pas hapi janë transformuar në realitete mbresëlënëse si realiteti që sapo pamë, ku faktikisht shkohet nga mbetjet elektronike tek përpunimi i nivelit më të lartë i unazave dhe varëseve të arit.

Pra, faktikisht nxirret ar, mbetje, të cilat për shumëkënd konsiderohen thjesht si mbeturina për t'u hequr qafe, ndërkohë që për këtë kompani janë si material i një miniere prej ku faktikisht krijohet vlerë e shtuar.  

Edhe me shumë respekt edhe me shumë mirënjohje për ata që janë në themelet e këtij realiteti, dua po ashtu të shtoj se jemi këtu edhe për të mundësuar që shqiptarët të shohin një Shqipëri që punon, por që nuk bën lajm, që nuk shihet asgjëkundi, për shkak se pasqyrat e lajmeve edhe të kronikës janë të zëna me punë të mëdha, siç janë thashethemet apo siç janë përsëritjet e gënjeshtrave të ditës.

Ndërkohë që unë e vë re shpesh në përmbledhjet e komenteve që bëhen në rrjetet sociale edhe ato të mijat dhe që mi japin punonjësit e ekipit të medias që shumë shpesh bëhen pyetje, “pse nuk hapni fabrika, ku janë fabrikat, pse nuk ka ndërmarrje, ku janë ndërmarrjet”, ndërkohë që numri i fabrikave dhe i ndërmarrjeve në Shqipëri vjen vetëm duke u rritur dhe jo vetëm vjen duke u rritur, por ne shikojmë sesi po spostohet, siç është spostuar edhe këtu faktikisht nga ajo hapësira e origjinës dhe ajo makineria që në fillim dukej si ato lavatriçet e betonit, e vogël, mikro, tek makineritë e sofistikuara dhe kompjuterike këtu, që mishërojnë dhe rritjen e vlerës së punës, të cilësisë së punës dhe patjetër dhe të pagës.

Unë nuk i pyeta me thënë të drejtën themeluesit e kompanisë se me çfarë pagash e kanë filluar në ditën e parë, përpara pothuajse 20 vitesh, por di që pagat sot këtu shkojnë deri në 1500 euro edhe që me një llogari shumë të thjeshtë, paga mesatare këtu është mbi 1000 euro, që është një pagë kuptimplotë për Shqipërinë e sotme dhe që patjetër jam i bindur që do të rritet në varësi të përmbushjes së ambicies që ka kompania për të arritur deri në 40 specialistë të mirëinformuar dhe të mirë stërvitur për prodhimet e vlerës së fundit.

Kështu që besoj që këto realitete janë të nevojshme për të stimuluar edhe vëmendjen, edhe stimuluar edhe interesin e shumë të rinjve  duke filluar nga ata të shkollave profesionale, këtu u përmend nga përfaqësuesit e kompanisë, u përmend dhe nga ministrja, në mos gabohem nga kryetarja e bashkisë që shkolla profesionale është një adresë, por nga ana tjetër ne duhet të bëjmë më shumë për të afruar shkollën profesionale me realitetin e industrive dhe duhet bëjmë më shumë për të informuar kompanitë që çfarë të rejash ka në legjislacionin e shkollave profesionale, ku ne e kemi përfshirë edhe atë integrimin në punë, pra një pjesë të javës në punë, një pjesë të javës në shkollë. E kështu kompanive u intereson, besoj unë, që të pikasin nxënësit që ju pëlqejnë për punën dhe të bëhen pjesë e financimit të studimit të tyre, sepse në ndërkohë nga njëra anë marrin prej tyre një disponim për të vazhduar punën në kompani dhe praktikisht rrisin ata që bëhen edhe si të thuash pjesë besnike e kompanisë.

Nuk është një eksperiencë shqiptare, është një eksperiencë e mirënjohur në vendet e zhvilluara të Europës ku ne e kemi studiuar këtë model dhe na mbetet vetëm që të punojmë më ngushtë me kompanitë për të hapur dyert e tyre dhe dyert e shkollës në mënyrë që të ketë shumë më tepër ndërveprim mes nxënësve dhe sipërmarrjes.

Tjetra që dua të theksoj, sepse jemi në një kohë kur po flasim shpesh edhe për pensionet, është që këto paga janë paga të sigurta edhe në aspektin e sigurimeve shoqërore. Pra, ata të cilët punojnë këtu dhe punojnë në këto realitete të reja të Shqipërisë punojnë për sot dhe sigurohen për nesër dhe këtu mbase është vendi për të shtuar vetëm diçka që ne jemi duke përgatitur një skemë të re për pensionet që nuk do ta zëvendësojë, por do ta pasurojë skemën aktuale duke i dhënë mundësi të gjithë punonjësve që duan të kursejnë më shumë për pensionin, që të vendosin në një fond të veçantë çfarëdolloj përqindje nga paga, të cilën shteti do ta shoqërojë me të njëjtën shumë.

Pra, nëse po themi dikush vendos që të nxjerrë nga paga 1 euro për ta vendosur çdo muaj në fondin e vetë të pensionit, që pastaj t'i shtohet në fund pensionit që ai do të marrë nga skema normale, shteti do të vendosë 1 euro tjetër dhe kështu do bëhen 2 euro dhe natyrisht kjo do të jetë e kombinuar, shteti për punonjës e shtetit, privati për punonjësit e vetë dhe kjo do të bëjë që fondi i pensioneve të fillojë pak nga pak të marri formë dhe të jetë një fond që garanton, qoftë ata që investojnë tek fondi, por garanton edhe lidhjen mes privatit dhe punonjësit, në një afat të gjatë sepse ajo që po shohim në këtë kohë kur teknologjia po bën transformime të mëdha dhe po zëvendëson njeriun në disa aspekte është njëkohësisht nevoja për burime shumë të specializuara njerëzore dhe në fund të ditës është shumë e qartë që robotët nuk do arrijnë dot të plotësojnë të gjitha nevojat për burime njerëzore të sipërmarrjes dhe prandaj çdo sipërmarrje sot është shumë e interesuar për punonjësit e specializuara apo për punonjës që janë të gatshëm të specializohen dhe sot jemi në një kohë kur s'është më pyetja: Sa mund të të paguaj? Por pyetja është: Sa ti je në gjendje të bësh punën që unë kam nevojë? Dhe unë pastaj të paguaj pa problem. Domethënë nuk është më koha kur kompanitë shqiptare kursejnë tek pagat, por është koha kur kanë vështirësi për të pasur specialistët e duhur në atë në atë numër që ata duan. Dhe ky është fakti sot, kompania këtu ka 15 specialistë të lartë për punët që ka, i duhen 40 dhe nuk është se i ka 25 të tjerët që i mungojnë te dera dhe s’po i merr se ka hallin se nuk i paguan dot, po është e gatshme t’i paguajë, por nuk i ka dhe ky është një moment sa shqetësues, aq edhe pozitiv sepse do të thotë që mundësitë e punësimit janë dhe punësim me paga shumë të mira.

Megjithëse unë s’po u marr kohë atyre që duhet të punonin se po rrinë ulur, por për të mos marrë mbrapa kurrizit ndonjë fjalë të keqe nga mikpritësit që na pritën shumë mirë dhe që pastaj mos thonë “erdhën dhe na i mbajtën pa punë punonjësit dhe ne ndërkohë vazhduam t’i paguajmë”, po e mbyll duke thënë që ne jemi sot në kushtet kur mund të rendisim shumë gjëra pozitive që kanë ndodhur si rezultat i rritjes së ekonomisë, ndërkohë jemi të bindur që ka shumë më tepër mundësi. Për këtë arsye, jemi duke përgatitur një program të posaçëm financimi për ndërmarrjet. Kuptohet, qëllimi është financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por patjetër edhe për ato ndërmarrje të cilat mund të jenë ndërmarrje të mëdha, por duan të investojnë në mënyrë të veçantë në burime njerëzore dhe në procese speciale pune. Ne do të vendosim në dispozicion një instrument të ri financimi, programin e kemi quajtur ‘’Dyfisho ndërmarrjen tënde’, dhe do ta bëjmë shumë më të lehtë kreditimin. Do të vendosim një tavan deri në 2 milion euro për ndërmarrjen X që ka një plan për tu rritur dhe faktikisht kemi parë, unë dhe personalisht kam takuar jo pak themelues ndërmarrjesh të vogla që i kanë shumë të qarta idetë që kanë çfarë të tregojnë dhe e kanë një perspektivë për ndërmarrjen, por që nuk kanë kapacitet financimi të mjaftueshëm. Me këtë instrument ku do të ketë një mbështetje të fortë shtetërore si garanci, me interesa më të ulët sesa interesat komercialë të sotëm, besoj që do t’i japim mundësi ndërmarrjeve që do të zhvillohen më tutje, që ta kenë në krah shtetin në formën e garantit të projektit përkatës së zhvillimit.

Kjo ma ha mendja që do të ndihmojë shumë sepse ne do të vendosim aty dhe kriteret për pagat sipas natyrës se biznesit kuptohet, nuk bëhet fjalë për të kërkuar paga që janë jashtë logjikës, po kritere për pagat, kritere për, natyrisht, patjetër sigurimet e duhura, për ditën e pushimit e të tjerë, por që të gjitha do t’ia vlejnë për të krijuar një platformë ku ndërmarrjet shqiptare të atyre njerëzve siç janë themeluesit e kësaj kompanie, që meritojnë vetëm respekt dhe që jetojnë me idenë sesi të rriten dhe si të bëhen më të fortë, ta kenë mundësinë që ta gjejnë një mbështetje kur kanë një plan ashtu si duhet, të cilin natyrisht do ta miratojnë bankat, s’do ta miratojë qeveria, por ne do të jemi mëse të lumtur që për çdo plan që miratohet nga bankat, ne të jemi garant të biznesit.

Shumë faleminderit!

Nuk e di sa kanë ecur me gjuhën shqipe punonjësit e huaj që keni këtu, por po ju them dy fjalë në anglisht.

Thank you very much, I don't knoë how well you are progressing with your albanian but I think you should learn some albanian and you should learn because you need to learn how to love and how to curse in Albanian. Thank you!

[Faleminderit shumë, nuk e di sa mirë po përparoni me gjuhën shqipe, por mendoj se duhet të mësoni pak shqip dhe duhet ta mësoni sepse keni nevojë të mësoni si të dashuroni dhe si të mallkoni në shqip. Faleminderit!]

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat