Shqipëria Postuar më 1 Gusht 2025, 15:13

Drafti i Kodit të ri Penal/ Rama: Është hartuar nga ekspertët. Pa vulën e Brukselit nuk shkon në parlament!

Nga Edel Strazimiri

Drafti i Kodit të ri Penal/ Rama: Është hartuar nga

Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, por ia kanë besuar një grupi ekspertësh.

Rama reagoi ndaj qëndrimit të disa shoqatave të gazetarëve, të cilët sipas tij, “bëjnë thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të ri Penal”.

Kryeministri theksoi se “qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e ka marrë dhe po e studion draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve”.

“Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku, kush do të kontribuojë për një Kod të ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush”, siguroi Kryeministri.

Rama u shpreh se “drafti i rishikuar do të konsultohet edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament”.

Më poshtë reagimi i plotë i Kryeministrit:

Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëheqjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipit.

Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara – sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.

Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush.

Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!

Kështu që miq të shoqatave të shtypit rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat