Shqipëria Postuar më 7 Korrik 2026, 12:51

DPSHTRR dhe Task Forca,  në terren - Identifikohen automjetet pa taksa apo kontroll teknik

Nga Fabjona Pasho

DPSHTRR dhe Task Forca,  në terren - Identifikohen automjetet pa taksa

DPSHTRR, në bashkëpunim me Task Forcën e Transportit Rrugor dhe Policinë e Shtetit, ka nisur një plan të koordinuar kontrollesh në të gjithë vendin gjatë muajve korrik-gusht.

Në fokus do të jenë mjetet që qarkullojnë me detyrime të papërmbushura, si taksa vjetore, kontrolli teknik apo mangësi të tjera në dokumentacion. Task forca këtë të martë u ndal në autostradën tiranë-Durrës, ku dhjetra automjete u verifikuan në kohë reale nëpërmjet mjetit Inteligjent për mospërmbushjen e detyrimeve.

“Task Forca e Transportit Rrugor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe Policinë e Shtetit, ka nisur zbatimin e një plani të koordinuar veprimi në të gjithë territorin e vendit gjatë muajve korrik-gusht, me fokus evidentimin e mjeteve që qarkullojnë me detyrime të papërmbushura.

Kontrollet do të zhvillohen në akset kryesore rrugore, ku përmes përdorimit të mjetit inteligjent të Task Forcës do të bëhet identifikimi në kohë reale i mjeteve në lëvizje dhe verifikimi i statusit të tyre, duke evidentuar rastet e mospagesës së taksës vjetore, moskryerjes së kontrollit teknik, si dhe mangësi të tjera në dokumentacionin e mjeteve, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha Totri.

Erald Totri nga DPSHTRR shprehet se synimi I këtij aksioni është ndërgjegjësimi dhe jo ndëshkimi i shoferëve.

“Kjo nismë synon, mbi të gjitha, rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të mjeteve për rëndësinë e përmbushjes në kohë të detyrimeve ligjore. Pagesa e taksës vjetore dhe kryerja e kontrollit teknik nuk janë vetëm detyrime ligjore, por edhe elementë të rëndësishëm që kontribuojnë në sigurinë rrugore, administrimin korrekt të mjeteve dhe ofrimin e një shërbimi më cilësor për qytetarët.

Periudha verore karakterizohet nga një fluks i shtuar i lëvizjes së mjeteve në të gjithë vendin. Për këtë arsye, Task Forca, DPSHTRR dhe Policia e Shtetit kanë planifikuar kontrolle të koordinuara në akset me qarkullimin më të lartë, me qëllim informimin dhe sensibilizimin e sa më shumë qytetarëve për përmbushjen e detyrimeve të tyre”, tha Totri.

DPSHTRR u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të verifikojnë dhe shlyejnë në kohë detyrimet ligjore, për të shmangur penalitetet dhe një qarkullim më të sigurt.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat