Shqipëria Postuar më 20 Gusht 2026, 12:06

Doganat forcojnë kontrollin mbi produktet e akcizës/ Pullat fiskale me identifikues unik digjital

Nga Edel Strazimiri

Doganat forcojnë kontrollin mbi produktet e akcizës/ Pullat fiskale me

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave zhvilloi një takim me përfaqësues të ALBTrace CO sh.a. dhe operatorë ekonomikë nga sektorët e duhanit, pijeve alkoolike dhe produkteve të tjera subjekt akcize, në kuadër të zbatimit të sistemit të përmirësuar të pullave fiskale.

Sistemi i ri ka hyrë në zbatim më 1 korrik 2026 dhe synon të modernizojë administrimin e pullave fiskale, duke kombinuar elementet fizike të sigurisë me teknologjinë digjitale.

Në takim, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, theksoi rëndësinë e zbatimit efektiv dhe të koordinuar të sistemit, me synim rritjen e eficiencës për operatorët ekonomikë dhe forcimin e kontrollit e gjurmueshmërisë së produkteve të akcizës.

Një nga risitë kryesore është pajisja e çdo pulle fiskale me identifikues unik digjital, i cili lidhet me të dhënat përkatëse të produktit. Kjo mundëson gjurmimin dhe verifikimin e produktit përgjatë ciklit të tij të qarkullimit.

Proceset e administrimit, nga porositja dhe furnizimi deri te aktivizimi dhe monitorimi, janë gjithashtu të digjitalizuara. Për pullat e furnizuara në rul, aktivizimi mund të kryhet përmes skanimit të pullës së parë dhe të fundit të një intervali, duke regjistruar në sistem pullat e përdorura.

Një tjetër ndryshim lidhet me pullat fiskale të produkteve të duhanit. Sipas sistemit të ri, ALBTrace CO sh.a. ua ofron operatorëve ekonomikë pullat të prera dhe të gatshme për aplikim, duke eliminuar nevojën për përpunim të mëtejshëm nga vetë subjektet.

Risi është edhe mundësia që konsumatori të verifikojë autenticitetin e produktit. Përmes aplikacionit publik ALBConnect, identifikuesi unik digjital i pullës mund të skanohet për të kontrolluar në kohë reale autenticitetin dhe informacionin e disponueshëm për produktin.

Aplikacioni ofron gjithashtu mundësinë e raportimit të rasteve të dyshimta apo produkteve potencialisht të falsifikuara, duke i dhënë konsumatorit një rol më aktiv në kontrollin e tregut.

Gjatë takimit, operatorët ekonomikë ngritën çështje që lidhen me furnizimin dhe formatin e pullave, dëmtimet gjatë përdorimit, identifikimin e produkteve, si dhe proceset e aktivizimit dhe verifikimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave deklaroi se do të vijojë monitorimin e sistemit, dialogun me operatorët ekonomikë dhe ofrimin e trajnimeve, me synim zbatimin sa më efikas të sistemit të ri.

Sipas Doganave, modernizimi i pullave fiskale synon të sjellë më shumë kontroll fiskal, transparencë dhe gjurmueshmëri të produkteve të akcizës, ndërsa konsumatorëve u jepet për herë të parë mundësia për të verifikuar drejtpërdrejt autenticitetin e produktit që blejnë.

Doganat forcojnë kontrollin mbi produktet e akcizës/ Pullat fiskale me

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat