Shqipëria Postuar më 12 Gusht 2026, 11:37

Doganat arkëtojnë 142 miliardë lekë në 7 muaj - 5.1 miliardë lekë shtesë, mallrat e akcizës japin kontributin kryesor

Nga Elisabeta Dosku

Doganat arkëtojnë 142 miliardë lekë në 7 muaj - 5.1

Të ardhurat doganore kanë rezultuar me performancë pozitive përgjatë këtij vitit. Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për periudhën janar–korrik 2026 janë arkëtuar afro 142 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 5,1 miliardë lekësh, apo 51 milionë eurosh në raport me një vit më parë.

E shprehur në përqindje, rritja rezulton në 3,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas administratës doganore, kjo ecuri pozitive është mbështetur kryesisht nga rritja e të ardhurave nga taksat doganore, akciza dhe TVSH-ja. Të ardhurat nga taksat doganore janë rritur me rreth 482 milionë lekë, të ndikuara ndër të tjera nga rritja e të ardhurave prej importeve të veshjeve, me rreth 109 milionë lekë, metaleve bazë me rreth 67 milionë lekë, si dhe kategorive të tjera të mallrave.

Akciza ka shënuar një rritje prej rreth 1,5 miliardë lekësh, e ndikuar kryesisht nga rritja e importeve të cigareve, me rreth 1,2 miliardë lekë më shumë. Kjo rritje është shoqëruar edhe me një rritje të sasisë së importuar të cigareve me rreth 100 tonë. Kontribut kanë dhënë gjithashtu duhani i prodhimit vendas me rreth 47 milionë lekë, duhani i importit me 33 milionë lekë, vera me 26 milionë lekë dhe kafeja me 25 milionë lekë.

Të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me rreth 3,3 miliardë lekë, ku ndikimin kryesor e ka dhënë karburanti i importit me 1,8 miliardë lekë, veshjet me 562 milionë lekë, cigaret me 447 milionë lekë, etj.

Ecuria e 7-mujorit reflekton një kontribut të qëndrueshëm të kategorive kryesore të mallrave në realizimin e të ardhurave doganore gjatë vitit 2026, duke bërë që të arrihet shifra më e lartë e të ardhurave në të paktën një  dekadë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat