Shqipëria Postuar më 21 Korrik 2025, 10:54

Dogana “dëgjon” biznesin/ Ftohet të vlerësojë shërbimet për t’i përmirësuar ato

Nga Ernilda Luzi

Dogana “dëgjon” biznesin/ Ftohet të vlerësojë

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave fton biznesin të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve doganore përmes një pyetësori të ri

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nisur një iniciativë të re për të përfshirë komunitetin e biznesit në procesin e vlerësimit dhe përmirësimit të shërbimeve doganore.

Në funksion të transparencës dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve doganore, duke ndjekur qasjen europiane për një administratë efikase dhe digjitale, institucioni fton të gjithë operatorët ekonomikë, që të plotësojnë pyetësorin e radhës si një formë bashkëpunimi të drejtpërdrejtë për identifikimin e nevojave dhe sugjerimeve të tyre.

Pyetësori, i cili është i disponueshëm në gjuhën shqipe dhe atë angleze, ka për qëllim të mbledhë të dhëna të strukturuara mbi përvojën që bizneset kanë me administratën doganore, si dhe të evidentojë fushat ku mund të ndërmerren ndërhyrje për përmirësim të mëtejshëm.

Sa i takon performancës së administratës doganore, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, vlerësimet e marra nga pyetësori i fundit kanë qenë në nivele shumë të larta, të cilat pasqyrojnë progresin e vazhdueshëm në disa drejtime kryesore, si në: digjitalizimin e shërbimeve, i cili ka mundësuar akses më të lehtë, të shpejtë dhe të sigurt për përdoruesit; reduktimi i kohës së përpunimit të deklaratave doganore për procedurat e importit, eksportit dhe tranzitit, si dhe Operatorët Ekonomikë të autorizuar, që përfitojnë lehtësira në procedura dhe kontrolle.

Ndërkohë, pyetësori synon të mbledhë feedback mbi: Cilësinë e shërbimeve dhe nivelin e komunikimit me administratën doganore; aksesin dhe funksionalitetin e platformave digjitale në përdorim; përvojën gjatë aplikimeve për autorizime dhe gjatë procedurave të kontrollit fizik; si dhe rekomandime konkrete për përmirësime në shërbime apo në përmbajtjen e politikave doganore.

Të dhënat e mbledhura do të jenë në qendër të përpjekjeve të DPD-së, për të përmirësuar efikasitetin dhe transparencën, me objektivin final të arritjes së standardeve të doganave të Bashkimit Europian deri në vitin 2030.

Administrata Doganore Shqiptare është një ndër institucionet kyçe në procesin e integrimit europian të vendit, me një rol të drejtpërdrejtë në drejtimin e Kapitullit 29 – Bashkimi Doganor, si dhe me kontribute aktive në kapituj të tjerë që lidhen me tregun e brendshëm, konkurrencën dhe politikat fiskale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat