Shqipëria Postuar më 5 Nëntor 2024, 14:11

Do të ketë rritje të pensioneve në 2025? - Manjani: Vetëm indeksim dhe shpërblim fundviti. Për masën e rritjes, presim BB

Nga Ledina Elezi

Do të ketë rritje të pensioneve në 2025? - Manjani:

Në projektbuxhetin për vitin 2025, parashikohet vetëm një indeksim prej 4.1% i pensioneve, si dhe shpërblimi që do të marrin pensionistët për fundvit. Nga ky buxhet, 1.6 miliardë lekë do të shkojë për indeksimin dhe 3.75 miliardë lekë do t'i kushtohet bonusit të fundvitit.

Në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Zëvendësministrja Olta Manjani theksoi masa me të cilën do të rriten pensionet, do të përcaktohet vetëm pasi Banka Botërore të paraqesë propozimin përfundimtar mbi mënyrën se si do të reformohet skema.

“Aktualisht, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit po punon ngushtësisht me ekspertët e Bankës Botërore për të reformuar skemën e pensioneve dhe në këtë moment, sigurisht që nuk është parashikuar që të ketë një rritje konkrete të pensioneve, për shkak se fillimisht do të duhet të dalin rezultatet e parashikimit që do të jetë në bazë të ndryshimeve që do të bëhen në kuadër të reformës së pensioneve dhe më pas do të ketë një faturë konkrete financiare në lidhje me rritjen e pensioneve. Në projekt buxhetin e vitit 2025, është parashikuar si gjithmonë indeksimi i pensioneve dhe bonusi i fundvitit. Në momentin që do të kemi rezultatet e parashikimit të modelit, ku do të bëhen edhe propozimet përkatëse për reformimin e skemës së pensioneve, do të ketë edhe një propozim për masën e rritjes së pensioneve sipas kategorive të ndryshme të përfituesve.”

Për sa i përket arsimit profesional, Manjani theksoi se buxheti për arsimin profesional në 2025-ën, do të jetë në vlerën 4.5 miliardë lekë.

“Fondet e planifikuara në projekt buxhetin afatmesëm 2025-2027 janë si më poshtë vijon. Për vitin 2025, 4.5 miliardë lekë, për vitin 2026, 4.4 miliardë lekë dhe për vitin 2027, 4.2 miliardë lekë. Fondet e planifiikuara në projekt buxhetin e vitit 2025 për arsimin e mesëm profesional zënë 1% të totalit të shpenzimeve të buxhetit 2025 dhe rreth 7.7% të totalit të shpenzimeve për arsimin.”

Për 2025-ën, buxheti për arsimin profesional është rritur me 18% në krahasim me këtë vit. Nga kjo rritje synohet përmirësimi i infrastrukturës në shkolla, me qëllim zhvillimin e një sistemi që garanton një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.

 

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat