Shqipëria Postuar më 27 Tetor 2025, 11:39

“Çdo 3 minuta, Shqipëria përjeton 1 goditje kibernetike” - Tafa: Zvogëlojmë me 70% sulmet nëse mirëqeverisim në këtë aspekt

Nga Ledina Elezi

“Çdo 3 minuta, Shqipëria përjeton 1 goditje

Çdo 3 minuta, Shqipëria përjeton 1 goditje kibernetike. Kështu është shprehur Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Igli Tafa, në një aktivitet me pjesëmarrjen e të gjithë infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.

Sipas tij, këto sulme mund të përballohen lehtësisht nëse kemi mirëqeverisje kibernetike, ndërsa shtoi se është thelbësore forcimi i shtresës së sigurisë tek institucionet.

“Shqipëria është një vend atraktiv për krim kibernetik. Çdo 3 minuta kemi 1 goditje kibernetike. A mundet t'i përballojmë të gjitha? Nëse qeverisim mirë, po. Kemi 50 raste në dhjetëmujor ku jemi goditur, por pa prekur shërbimet kritike të vendit, vetëm 1 ose 2 raste. Nëse njëri nga institucionet nuk standardizon qeverisjen, bie komplet rrjeti. Secili prej jush është pjesë e zinxhirit dhe duhet të krijohet ekosistemi kibernetik. Ne kemi shërbime digjitale të jashtëzakonshme dhe progres të jashtëzakonshëm në shërbimet bankare. Të mbrosh sigurinë kibernetike do të thotë të mbrosh ekonominë e vendit. Nëse ne nuk forcojmë shtresën e sigurisë tek institucionet, dështuam”, tha Tafa.

Në shumicën e rasteve, sulmet kibernetike vijnë si pasojë e keqqeverisjes kibernetike. Ai u shpreh se sulmet po sofistikohen gjithnjë e më shumë, ndaj duke nisur nga dhjetori do të zbatohet një qasje e re e ndaj kontrollit të infrastrukturave kritike.

“Në 70%-80% të rasteve, vështirësitë nga sulmet kibernetike, vijnë si pasojë e keqqeverisjes kibernetike. Nëse ne qeverisim mirë në aspektin kibernetik, ne reduktojmë me 70% këto sulme, pavarësisht se kemi shumë teknologji të dobët. Zinxhiri më i dobët, i cili pëson goditje kibernetike janë vetë njerëzit. Gabimet më të mëdhaja nuk vijnë nga ekspertët, por nga punonjësit e këtyre infrastrukturave kritike. Aktorët janë gjithnjë e më shumë të sofistikuar, mund të flejnë për një kohë të gjatë në infrastrukturat tuaja dhe ju nuk e kuptoni. Dhe nuk mjaftojnë investimet teknologjike për këtë. Në dhjetor, ju të shikoni një tjetër qasje. Do të ndryshojmë qasjen ndaj kontrollit të infrastrukturave. Ne duhet të ndërtojmë mbrojten më të mirë kibernetike në rajon dhe Evropë”, theksoi Drejtori i AKSK.

Së fundmi, Shqipëria ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme në fushën e sigurisë kibernetike, duke u renditur në vendin e 15-të në botë me 85 pikë sipas Indeksit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike. Ky rezultat përfaqëson një ngritje prej 39 pozicionesh krahasuar me vitin 2023. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat