Shqipëria Postuar më 29 Maj 2026, 12:28

DIVA, mbi 40 mijë aplikime për rimbursim/ Binaj: Kanë nisur pagesat, në total 77 mijë përfitues

Nga Elisabeta Dosku

DIVA, mbi 40 mijë aplikime për rimbursim/ Binaj: Kanë nisur

Mbi 40 mijë aplikime janë bërë nga të punësuarit në vend për rimbursim përmes DIVA2025, ndërsa administrata tatimore ka nisur procesin e pagesave në llogaritë bankare të mbi 34 mijë individëve. Në një intervistë për SCAN TV, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, shprehet se në total janë mbi 77 mijë përfitues, me një fond të vënë në dispozicion prej 15 milionë eurosh.

Në lidhje me rimbursimin e DIVA, ne morëm rreth 40 mijë kërkesa, të cilat filluan të procesohen menjëherë gjatë muajve prill dhe maj. Fillimisht, filluam procesimin e atyre që ishin pa risk, pra rreth 3000, ndërkohë kemi kaluar tek procesimi i kërkesave të prindërve me dy fëmijë, që edhe këto quhen me risk të vogël, që janë mbi 34 mijë kërksa. Në lidhje me këto kërkesa, vlera që do të rimbursohet është përllogaritur në rreth 5.5 milionë euro. Procesi vazhdon. Pra, ne presim të kemi edhe kërkesa të tjera. Nga përllogaritjet tona rezulton që ishin rreth 77.000 tatimpagues të cilët rezultuan me tepricë kreditore pasi bënë deklarimin e DIVA. Ky është një proces, ne ftojmë të gjithë tatimpaguesit që kanë rezultuar me tepricë kreditore të bëjnë kërkesa dhe brenda afateve ligjore, administrata tatimore do të përpiqet që të bëjë rimbursimet përkatëse”, u shpreh Binaj.

I pyetur mbi ligjin për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore si dhe paqen fiskale, Binaj bëri me dije se qëllimi është formalizimi i ekonomisë dhe se kjo iniciativë sjellë përfitime të konsiderueshme për bizneset.

Për paqen fiskale, ne nxorëm udhëzimin në 15 maj dhe ndërkohë kemi njoftuar tatimpaguesit se si do të bëhet procesi. Aplikimet përfundojnë në 5 qershor. Jemi në pritje të aplikimeve, drejtoritë rajonale janë duke i mbledhur këto. Paqja fiskale është një koncept i ri, i cili kërkon një formalizim më të lartë apo më të mirë të ekonomisë shqiptare. Pra, i ofrohet tatimpaguesit që të deklarojë 18% më shumë, me një normë 15% dhe pastaj mbi 18%, norma bie 5%.

Ndërkohë për pjesën e fshirjes, administrata tatimore është duke punuar me të gjitha organet zbatuese në prokurori për të marrë të gjitha listat që lidhen me pjesën e tatimpaguesve që kanë vepra penale apo që janë në hetim, pasi këta duhet të hiqen nga lista. Pra, brenda 20 ditëve ne jemi duke përgatitur këtë listë në bashkëpunim me prokurorinë. Procesi ka ecur, por jo me shpejtësinë që do të dëshironim ne. Brenda datës 10 qershor, administrata tatimore do të fillojë pastaj të ftojë tatimpaguesit që të fillojnë pagesat”, sqaroi Binaj.

Subjektet do të kenë afat deri më 5 Qershor për të aplikuar për lidhjen e marrëveshjes së paqes fiskale me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe deri në fund të vitit për të shlyer me këste detyrimet sipas udhëzimit të ligjit për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat