Shqipëria Postuar më 6 Dhjetor 2025, 12:21

Dita kulturore e arbëreshve në Vatikan/ Gonxhja e Salla: Forcim lidhjeve kulturore dhe ekonomikе me arbëreshët

Nga Scan TV

Dita kulturore e arbëreshve në Vatikan/ Gonxhja e Salla: Forcim

Në Vatikan, është nderuar dhe promovuar trashëgimnia e çmuar arbëreshe me Ditën Kulturore të Arbëreshëve, një nismë e Përfaqësisë Shqiptare pranë Selisë së Shenjtë dhe Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës. Mes shumë kryebashkiakëve të zonave ku jetojnë komunitetet arbëreshe në Itali, konsujve, ambasadorëve dhe studiuesve në këtë aktivitet kanë marrë pjesë edhe ministri shqiptar i Turizmit e kulturës Blendi Gonxhja dhe ministri i bujqësisë Andis Salla, që janë bërë pjesë e promovimit të trashëgimnisë së çmuar Arbëreshe, një ndër dëshmitë më të forta të rezistencës, identitetit dhe kontributit shqiptar në hapësirën europiane.

Ministri Gonxhe me një postim në rrjetet sociale ka bërë të ditur se “Me projekte të reja kulturore, si Qendra Kulturore Shqiptare në Itali, dosieri për “Motin e Madh të Arbëreshëve” në UNESCO dhe krijimi i Muzeut Kombëtar Arbëresh, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit po vijon punën për forcimin e urave të kujtesës, bashkëpunimit dhe së ardhmes për të promovuar kulturën shqiptare dhe për të rritur praninë tonë kulturore në arenën ndërkombëtare. Së bashku në këtë mision fisnik, ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë sonë si pjesë e pandarë e identitetit europian. Ndërsa ministri i bujqësisë Andis Salla tha në fjalën e tij në aktivitet se arbëreshët mbeten një prej dëshmive më të forta të identitetit shqiptar që është integruar plotësisht në zemër të Europës, pa humbur rrënjët e veta.

Në kuadër të aktivitetit u organizua edhe një panair i prodhimeve shqiptare dhe arbëreshe, ku morën pjesë rreth 25 kompani nga Shqipëria, kryesisht prodhues të vajit të ullirit, verërave, bimëve mjekësore dhe produkteve të tjera tradicionale. Ministri Salla theksoi se ky panair përfaqëson një mundësi të çmuar për krijimin e partneriteteve të reja të biznesit dhe për promovimin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Ai vuri në dukje potencialin e lartë të bashkëpunimit ekonomik në sektorë si vreshtaria, ullishtaria, blegtoria, agroturizmi dhe gastronomia dhe nënvizoi angazhimin e Qeverisë shqiptare për forcimin e marrëdhënieve me komunitetet arbëreshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit institucional në funksion të zhvillimit rural dhe promovimit të identitetit të përbashkët kulturor.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat