Shqipëria Postuar më 6 Janar 2026, 11:13

Disenjot, kuadër i ri ligjor për biznesin - Gati projektligji, standarde europiane për dizajnin industrial

Nga Diamila Leka

Disenjot, kuadër i ri ligjor për biznesin - Gati projektligji,

Ka dale për konsultim publik projektligji “Për disenjot”, një nismë që synon modernizimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e dizajnit industrial dhe përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Europian dhe marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e pronësisë intelektuale.

Projektligji rregullon kushtet dhe procedurat për regjistrimin e disenjove në Republikën e Shqipërisë, si dhe përcakton të drejtat që burojnë nga ky regjistrim. Sipas nismës, mbrojtja ligjore e një disenjoje fitohet vetëm përmes regjistrimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, e cila do të jetë autoriteti përgjegjës për administrimin dhe publikimin e të dhënave për disenjot.

Në projektligj theksohet se një disenjo për të qenë e mbrojtur duhet të jetë e re dhe të ketë karakter individual, duke u dalluar qartë nga çdo disenjo tjetër e bërë publike më parë. Përjashtohen nga mbrojtja disenjot që diktohen vetëm nga funksioni teknik i produktit, si edhe ato që bien ndesh me rendin publik, moralin apo përmbajnë simbole shtetërore dhe elemente të trashëgimisë kulturore pa autorizim.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe disenjove të krijuara në marrëdhënie pune ose me porosi. Projektligji përcakton se, në këto raste, e drejta e mbrojtjes i përket punëdhënësit ose porositësit, por parashikon edhe të drejtën e kompensimit për punëmarrësin, nëse disenjoja ka një vlerë ekonomike më të lartë se ajo e parashikuar fillimisht.

Po ashtu, ligji rregullon licensimin e disenjove, duke dalluar licensat ekskluzive dhe jo-ekskluzive, si dhe forcon mekanizmat kundër shkeljeve, përfshirë tregtimin e mallrave pirate. Autoritetet përgjegjëse do të kenë kompetenca të zgjeruara për mbikëqyrjen e tregut të brendshëm dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale.

Projektligji parashikon gjithashtu përdorimin e aplikimeve dhe shërbimeve elektronike për regjistrimin dhe administrimin e disenjove, me synimin për të rritur transparencën, efikasitetin dhe aksesin e bizneseve dhe krijuesve në sistemin e pronësisë industriale.

Me këtë nismë ligjore, synohet krijimi i një klime më të sigurt për inovacionin, dizajnin dhe investimet, si dhe forcimi i rolit të Shqipërisë në sistemin ndërkombëtar të mbrojtjes së pronësisë intelektuale.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat