Shqipëria Postuar më 11 Mars 2025, 09:58

Digjitalizimi i shërbimeve publike - Banka Botërore miraton mbështetje shtesë prej 80 mln USD

Nga Dorian Koça

Digjitalizimi i shërbimeve publike - Banka Botërore miraton

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi një financim shtesë prej 80 milionë dollarë për të mbështetur agjendën ambicioze të Shqipërisë për modernizimim dhe transformimin digjital të sektorit publik, duke përmirësuar aksesin në shërbimet kryesore për qytetarët, veçanërisht për grupet e cënueshme. 

Banka Botërore vlerëson se Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në modernizimin e sektorit publik dhe transformimin digjital, çka ka përmirësuar shërbimet publike dhe ka kontribuar në zhvillimin ekonomik. Megjithatë, ka ende vend për përmirësime të mëtejshme duke përfituar nga këto risi. Sipas institucionit financiar global, transformimi digjital mund të ndihmojë Shqipërinë drejt reformave më të avancuara në sektorin publik, të përmirësojë ofrimin e shërbimeve publike, të forcojë kapitalin njerëzor dhe të nxisë një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. 

Financimi shtesë vjen si rezultat i progresi të projektit kryesor "Përmirësimi i Aksesit të Barabartë në Shërbimet Publike me Standarde të Larta përmes GovTech" (prej 65 milionë dollarë), i cili synon të rrisë aksesin dhe cilësinë e shërbimeve publike. Aktualisht projekti po zbaton disa aktivitete, duke përfshirë ridizenjimin dhe përmirësimin e platformës E-Albania, platformë digjitale që ofron shërbime për qytetarët dhe bizneset, krijimin e qendrave të inovacionit për të rinjtë për përvetësimin e aftësive digjitale si dhe ngritjen e 200 SmartLabs në shkollat fillore që do të shërbejnë për të rritur njohuritë mbi numërimin, leximin dhe aftësitë dixhitale.

Financimi shtesë i sapo miratuar do të zgjerojë aktivitetin e programit në tre fusha të rëndësishme. Së pari, rimodelimi dhe digjitalizimi i shërbimeve të qeverisjes vendore. Kjo do të sigurojë efikasitet në aksesin ndaj një game të gjerë shërbimesh administrative bashkiake, duke sjellë përfitime për qytetarët dhe bizneset.

Së dyti, zhvillimi i një platforme të re digjitale për prokurimin public. Duke integruar inovacionin e bazuar në inteligjencën artificiale, kjo platformë do të rrisë transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien në proceset e prokurimit publik, duke sjellë kursim dhe efikasitet në kontraktimet që bëjnë institucionet qeveritare.

Së treti, zbatimi i një sistemi të ri për menaxhimin e financave publike. Përmes hartimit dhe zbatimit të një sistemi të ri digjital për menaxhimin e financave publike, programi do të ndihmojë qeverinë qendrore dhe vendore të menaxhojnë më shpejt dhe më saktë buxhetin për investime publike për popullsinë lokale.

Sipas Bankës Botërore, financimi shtesë pritet të sjellë ndikim të qenësishëm në jetën e qytetarëve. Parashikohet një rritje prej të paktën 25% të përpunimit të aplikimeve online për shërbimet publike që do të sjellë përmirësimin e aksesit në shërbime, përfshirë grupet e cënueshme, si personat me aftësi ndryshe.

Ky projekt është në përputhje me angazhimin e Bankës Botërore për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike nga një administratë më moderne dhe e orientuar nga qytetarët, për të forcuar kapitalin njerëzor dhe për të nxitur një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri. 



Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat