Shqipëria Postuar më 25 Nëntor 2025, 09:47

Digjitalizimi i bujqësisë/ AZHBR: Vendoset në funksion sistemi europian LPIS!

Nga Edel Strazimiri

Digjitalizimi i bujqësisë/ AZHBR: Vendoset në funksion sistemi

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po vijon me ritme të shpejta procesin e digjitalizimit të sektorit bujqësor, duke ngritur dhe vënë në funksion Sistemin e Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS) një mekanizëm kyç për menaxhimin transparent dhe efikas të fondeve të Bashkimit Evropian.

Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi tha se LPIS, bazohet në imazheri satelitore dhe standard të avancuara të BE-së.

“Ky sistem përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administrimit të skemave të mbështetjes për fermerët shqiptarë. Ky sistem do të lehtësojë aplikimet online për subvencione, duke reduktuar burokracitë dhe duke rritur saktësinë në verifikimin e të dhënave mbi sipërfaqet bujqësore”, shtoi ajo.

Falë teknologjisë së re, monitorimi i parcelave bujqësore do të kryhet në mënyrë të automatizuar dhe të vazhdueshme, çka pritet të rrisë ndjeshëm transparencën dhe përshpejtimin e procesit në shpërndarjen e fondeve për fermerët.

Në të njëjtën kohë, LPIS do të ndihmojë institucionet shqiptare të përmbushin kushtet teknike dhe administrative që kërkohen në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Implementimi i këtij sistemi përbën një element thelbësor për përputhjen me politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së efikasitetit të shërbimeve ndaj fermerëve. Digjitalizimi i sektorit bujqësor vlerësohet si një nga prioritetet kryesore në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Kuçi.

Me funksionimin e LPIS-it, fermerët do të kenë një proces më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të sigurt për marrjen e mbështetjes financiare, ndërsa vendi përfiton nga një sistem modern që siguron administrim të drejtë dhe të qëndrueshëm të fondeve bujqësore.

Këtë vit në skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi kanë aplikuar 70 mijë fermerë në shkallë vendi për tetë masa mbështetëse .

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat