Shqipëria Postuar më 17 Shkurt 2026, 13:34

“Diella do të shkojë në një nivel tjetër” - Rama prezanton drejtuesin e ri të AKSHI-t, premton rritje pagash për punonjësit

Nga Fabjona Pasho

“Diella do të shkojë në një nivel tjetër”

Kryeministri Edi Rama prezantoi Igli Tafën si drejtuesin e ri të AKSHI-t. Në fjalën e tij, kryeministri vlerësoi punën e ekspertëve që punojnë në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë të Informacionit, ndërsa bëri me dije se do të ketë rritje pagash.

“Kemi vendosur të ndërhyjmë në legjislacion për të bërë një rritje domethënëse të pagave tuaja, për të treguar që ne ju kemi shumë të çmuar, ju kemi shumë të shtrenjtë, dhe nuk duam që ju ta braktisni shërbimin publik dhe talentin tuaj ta vini në dispozicion të sektorit privat. Ju jeni një nga gurët më të pazëvendësueshëm të mozaikut të shtetit shqiptar dhe për këtë arsye duhet të ndjeheni shumë krenar dhe të ndjeni një përgjegjësi që shkon përtej individit. Ne do e bëjmë AKSHI-n që të ketë pagat më të larta në Shqipëri dhe të mos ketë asnjë ndërmarrje private kapacitet ta konkurrojë. Ky është qëllimi dhe këtë do bëjmë”, tha Rama.

Kryeministri gjithashtu njoftoi një bashkëpunim të rëndësishëm të AKSHI-t me kompaninë lidere të Inteligjencës artificiale, NVIDIA.

“Së shpejti do të vijë këtu ekipi i NVIDIA-s për të filluar punën dhe për ta çuar Diellën në një nivel krejt tjetër. Sfidat e tjera që do të bëni lidhen me prokurimin publik, duke transformuar totalisht qasjen e një administrate të re dhe duke u bërë model edhe për të tjerët. Edhe aty do të punojmë me NVIDIA-sic, ashtu si po punojmë me Microsoft”, u shpreh Kryeministri/.

Ndërkaq, Tafa, në fjalën e tij tha se do të punojë për të çuar përpara modernizimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

“AKSHI do të bëjë maksimumin, përkushtimin e vet maksimal  për të ofruar shërbime    gjithnjë e më të qendrueshme  dhe njëkohësisht do të ofrojë edhe shërbime siç është e-Albania 2.0, apo avancimi i teknologjive AI, për të bërë të mundur që të jemi lider, tashmë në Rajon po e po, por edhe më gjerë se Rajoni, në fushën e digjitalizimit dhe teknologjive të avancuara, siç është Inteligjenca Artificiale”, tha Tafaj.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat