Shqipëria Postuar më 28 Maj 2025, 14:03

Diaspora dhe investitorët, ‘motori’ i ri i zhvillimit ekonomik - Katiaj e Alku: Ura mes kapitalit të huaj dhe turizmit elitar

Nga Alida Lula

Diaspora dhe investitorët, ‘motori’ i ri i zhvillimit ekonomik

Potenciali i madh që mbart Shqipëria, po e kthen vendin në një destinacion me rritje për investime të huaja. Në studion e emisionit GDP në SCAN tv, Elisabeta Katiaj, zv.Kryetare e Dhomës së Biznesit për Diasporën dhe Neritan Alku, përfaqësues i  Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Itali, kanë theksuar rëndësinë e zhvillimit të projekteve madhore në porte e aeroporte, që po transformojnë infrastrukturën kombëtare dhe po e lidhin vendin me tregjet ndërkombëtare.

“Kompani të mëdha ndërkombëtare pritet të investojnë në Shqipëri. Plani i zhvillimit po ecën me hapa më të shpejta sesa pritshmëritë dhe këtu duken ndryshimet që nga rruga kur shkon në Porto Romano me transformimet e shumta në strukturat logjistike, magazinave doganore, të magazinave për qiradhënie, në investime te sipërfaqet e mëdhaja të kapanoneve. Është një interes i zgjuar që lidhet në Porto Romano dhe në gjithë rrugëtimin që do të ketë nga ky port, drejt ekonomisë transit për Ballkanin, kundrejt gjithë linjës ku do të ndërtohet hekurudha, rrugët shtesë etj. Në gjykimin tonë dhe në atë që shohim, Shqipëria me Porto Romanon, do të jetë një interes i shtuar për të paktën 10-vjeçarin e ardhshëm, përveç investimit në port. Gjithashtu, është investimi në aeroporte, sado që  mund të jenë kombëtare apo ndërkombëtare, logjistika e brendshme ka nevojë për këto infrastruktura, kemi investime në porte turistike, që janë në proces, që sjellin lëvizje të turizmit të luskit, sjellin interesin e vizitorëve në blerjen e apartamenteve dhe resorteve të luksit, e kështu që turizmi tashmë e ka fokusin e vet, sepse e ka marë rrugëtimin e sukseshëm” – ka thënë Elisabeta Katiaj, zëvendëskryetare e Dhomës së Biznesit për Diasporën.

Duke veçuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të turizmit, sidomos projektit të ndërtimit të resorteve luksoze si ai në ishullin e Sazanit, Katiaj thotë se ky projekt strategjik prej 1.4 miliardë euro, pritet ta kthejë Shqipërinë në një qendër të turizmit elitar në rajon. Ndërkohë, Alku shton se është rritur interesi i të huajve për të investuar, ku së fundi edhe investitorë italianë po sjellin kapitalin e tyre në Shqipëri, duke sjellë rastin e zbatimit të një investimi në Fier.

“Një firmë italine e madhe do të ndërtojë një nga serat më të mëdha në zonën e Fierit, Prandaj dhe zyra jonë ofron informacion për këtë pjesë duke u bërë urë lidhëse. Gjithashtu, po insistojmë të hapim edhe disa agjenci pune në Shqipëri dhe fokusi të jetë tekonologjia e informacionit, por dhe aftësimi në disa sektorë” – ka thënë Neritan Alku, Përfaqësues i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Itali.

Diaspora shqiptare dhe investitorët e huaj, po shfaqin interes të shtuar për sektorin e pasurive të paluajtshme, teknologjinë dhe energjinë e rinovueshme.

Sipas ekspertëve, trendi i rritjes së Investimeve të Huaja Direkte, që në vitin 2024 arriti në rreth 1.6 miliardë euro, tregon përmirësim dhe besimin për të ardhmen ekonomike të vendit.

 
 

 

Mendimi juaj

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat