Shqipëria Postuar më 4 Maj 2026, 10:32

Dhurimi dhe trashëgimia e pronave, përgjysmohet tatimi - Shqiptarët paguan më pak gjatë 2025-ës, ligji i ri lehtësoi detyrimet

Nga Elisabeta Dosku

Dhurimi dhe trashëgimia e pronave, përgjysmohet tatimi -

Tatimi i paguar nga qytetarët për dhurimin e një pasurie të paluajtshme është përgjysmuar gjatë vitit që lamë pas.

Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve,  në vitin 2025, janë paguar 16.2 milionë lekë  në formën e tatimit nga ata individë që kanë bërë dhurime apo kanë lënë trashëgimi një pronë,  ndërsa në 2024, shifra u regjistrua në 35.8 milionë lekë. E thënë më ndryshe, shqiptarët kanë paguar 19.6 milionë lekë më pak apo -54.6%.   Ndërsa në raport me 2023-shin, ku shifra rezultonte më 84.4 milionë lekë, rënia është edhe më  e madhe,

Kjo rënie e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga ky zë ka ardhur për disa arsye.

Konkretisht, vlera tatimore e paguar gjatë vitit 2023, ka qenë në bazë të ligjit të vjetër të tatimit mbi të ardhurat, sipas të cilit përjashtonin nga tatimi dhurimet brenda trungut familjar. Konkretisht, sipas ligjit të mëparshëm, të ardhurat e përfituara nga kalimi i së drejtës së pronësisë për banesën dhe/ose truallin, brenda lidhjes gjinore në familje, bashkëshort, bashkëshorte, fëmijë, vetëm një herë ndaj një përfituesi, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria nuk tatoheshin. Ndërsa në rastet e tjera norma tatimore e aplikuar ishte 15 për qind.

Ndërsa ligj i ri për tatimin mbi të ardhurat, i cili ka hyrë në fuqi në Janar të 2024,  përcakton se përjashtohen nga tatimi: dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga ata që do të kualifikoheshin si trashëgimtarë ligjorë në radhë të parë dhe të dytë; dhurimet dhe trashëgimitë të marra nga ata që do të kualifikoheshin si trashëgimtarë të ligjshëm përveç shkallës së parë dhe të dytë, deri në 5 milionë lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme, dhe deri në 1 milionë lekë për pasuritë e luajtshme për tatimpagues. Si dhe kalimi i të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme.

Edhe në këtë rast, përjashtimi nga tatimi bëhet nëse trashëgimtari ose përfituesi i dhuratës provon që sendet e dhuruara ose të trashëguara janë tatuar paraprakisht ose janë raportuar nga i vdekuri ose dhuruesi.  Në rastet e tjera norma tatimore është 15 %.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat