Shqipëria Postuar më 22 Mars 2025, 13:21

Detajet e marrëveshjes ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci - Stërvitje të përbashkëta, investime në teknologji dhe integrim euroatlantik

Nga Ledina Elezi

Detajet e marrëveshjes ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci -

Pak ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, si dhe Zëvendëskryeministri i Kroacisë Ivan Anushi, njëherësh dhe Ministër i Mbrojtjes, nënshkruan një marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit të tyre në fushën e mbrojtjes. Por cilat janë detajet e kësaj marrëveshjeje?

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë sapo ka publikuar marrëveshjen e plotë tripalëshe, e cila synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve përmes rritjes së investimeve në teknologji ushtarake, shtimit të stërvitjeve të përbashkëta, kundërpërgjigjeve të koordinuara ndaj kërcënimeve hibride dhe mbështetjen e Kosovës në integrimin e saj euroatlantik.

Konkretisht,  marrëveshja parashikon zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake. Gjithashtu, do të investohet në teknologji dhe inovacione të reja ushtarake.

Nga ana tjetër, në fokus do të jetë edhe edukimi i forcave ushtarake. Do të rriten mundësitë e edukimit dhe trajnimit individual e kolektiv përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake përkatëse, me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta. Edhe stërvitjet dypalëshe ose trepalëshe pritet të forcohen, për t’u siguruar që forcat të jenë të përgatitura në mënyrë të përshtatshme. Shqipëria, Kosova dhe Kroacia do të ndajnë ekspertizën dhe praktikat më të mira në rekrutimin, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit të kualifikuar.

Përmes kësaj marrëveshjeje synohet që të ndërmerren hapa të përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të dëmtojë sigurinë kombëtare dhe rajonale. Marërveshja përfshin edhe shkërmbimin e informacioneve dhe shërbimeve të inteligjencës për ndërgjegjësimin dhe koordinimin strategjik dhe operacional të situatës ndërmjet institucioneve të mbrojtjes për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse.

Në drejtim të Kosovës pritet një angazhim më i fuqishëm për integrimin e plotë të saj në iniciativat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes. Po ashtu, do të mbështetet perspektiva euroatlantike e Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Të gjitha këto përpjekje do të ndërmerren, me qëllim që shtetet tona t'i bëjnë më mirë ballë kërcënimeve aktuale, apo të atyre që mund të zhvillohen në të ardhmen.

 

Deklarata e Përbashkët pas takimit ndërmjet ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Shqipërisë dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Kroacisë dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës të Kosovës, mbajtur në Tiranë, Shqipëri, më 18 mars 2025:

Duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal,

Duke riafirmuar synimin tonë për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë dhe mbrojtjes për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian,

Duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t'iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar,

Marrja e veprimeve të menjëhershme për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse duke pranuar ambiciet që rrjedhin nga Koncepti Strategjik i NATO-s dhe Busulla Strategjike e Bashkimit Evropian, të konceptuara për të rritur aftësinë tonë për të mbrojtur territoret dhe njerëzit tanë, si dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,

Avancimi i hapave të përbashkët për të rritur bashkëpunimin dhe prodhimin industrial të mbrojtjes në përputhje me Zotimin e NATO-s për Zgjerimin Industrial dhe planin e Bashkimit Evropian për "Riarmatosjen e Evropës",

Ne jemi të vendosur për t’u siguruar që jemi të pozicionuar mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve aktuale dhe në zhvillim, si dhe për të arritur objektivat tona të mbrojtjes dhe sigurisë,

Ne: Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, si dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, deklarojmë angazhimin tonë si më poshtë:

1. Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse duke:

- Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake;
- Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes;
- Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.

2. Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve duke:

- Ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në rekrutimin, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit të kualifikuar, duke përfshirë shkëmbimin e koncepteve të forcave rezerviste, për të rritur kapacitetet tona parandaluese dhe mbrojtëse;
- Rritur mundësitë e edukimit dhe trajnimit individual dhe kolektiv përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake përkatëse, me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta;
- Forcuar stërvitjet dypalëshe dhe/ose trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, në përputhje me Politikat e NATO-s dhe BE-së për Trajnimet dhe Stërvitjet, për t’u siguruar që forcat të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.

3. Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë duke:

- Forcuar hapat e përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale;
- Shkëmbyer informacione dhe shërbime të inteligjencës për ndërgjegjësimin dhe koordinimin strategjik dhe operacional të situatës ndërmjet institucioneve të mbrojtjes për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse;
- Eksploruar opsione të reagimit që adresojnë një gamë të gjerë kërcënimesh të mundshme për infrastrukturën tonë kritike dhe rrjetet e komunikimit dhe që mbështesin kohezionin dhe ndihmën e ndërsjellë.

4. Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik duke:

- Përafruar politikat dhe pozicionet me institucionet dhe strukturat shumëpalëshe euroatlantike për sigurinë dhe mbrojtjen, për të çuar përpara interesat dhe objektivat tona kombëtare dhe të përbashkëta rajonale;
- Treguar angazhim për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë për integrimin e plotë të Kosovës në iniciativat rajonale për sigurinë mbrojtjen;
- Mbështetur perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Kjo Deklaratë e Përbashkët është bërë në frymën e miqësisë, solidaritetit dhe besimit të ndërsjellë. Ajo pasqyron vizionet e përbashkëta strategjike të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës. Ajo nuk krijon asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve, as nuk ndikon në detyrimet ekzistuese me shtetet e tjera.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat