Shqipëria Postuar më 11 Gusht 2025, 12:10

Deri në 13 mijë euro gjobë për abuzimet me gjuetinë - Ndryshon ligji, subjektet private të drejtë për të marrë me qira zona për gjueti

Nga Elisabeta Dosku

Deri në 13 mijë euro gjobë për abuzimet me gjuetinë -

Qeveria ka ndryshuar me “themel” ligjin për gjuetinë në Shqipëri, duke përcaktuar kushte dhe kritere të reja,  baze të qartë dhe transparente, që rregullon këtë aktivitet, me synim garantimin dhe mbrojtjen e biodiversitetit dhe respektimin e parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.

Në projektligjin e depozituar më diskutim në komisionet kuvendore, parashikohet forcimi i masave administrative dhe zbatimi i ndëshkimeve të ashpra për shkeljet e rregullave për të shmangur abuzimet, ndërsa përcaktohet se zhvillimi i gjuetisë bëhet vetëm pas pajisjes me lejen përkatëse dhe të vlefshme.

Konkretisht gjobat me ndryshimet e reja ligjore nisin nga 2 mijë euro deri në 13 mijë euro në varësi të shkeljes, të tilla si gjuetia e kafshëve të egra, që nuk janë në listën e llojeve, objekt gjuetie; Gjuetia në zonat e ndaluara; Ushtrimi i gjuetisë pa pasur me vete lejen e gjuetisë nga gjuetari; Veprimet e ndaluara në gjueti; Ushtrimi i gjuetisë me armë; Tregtimi i paligjshëm i lëkurave të kafshëve etj.

Gjithashtu, në projektligjin e propozuar, kompetencat e mëparshme të ish-drejtorive të shërbimit pyjor,  do t’i kalojnë strukturave përgjegjëse për gjuetinë pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, nisur nga faktori i afërsisë në territor me zonat e gjuetisë, mundësia e monitorimit dhe kontrolleve të vazhdueshme.

Zonat e gjuetisë janë një tjetër çështje e rëndësishme rivlerësimi, ku gjuetia do të ushtrohet vetëm në zonat e lejuara dhe, në rastin ideal, të jenë pjesë e rezervateve të mbarështimit, nga ku 50 ha zonë mbarështimi dhe 500 ose 1000 ha zonë gjuetie dhe që jepen në përdorim.

Zonat e gjuetisë mund t’i jepen në përdorim me qira subjekteve private me anë të një procedure konkurrimi dhe për një afat jo më shumëse 10 vjet. Kjo për arsyen se, sipas ekspertëve të fushës së gjuetisë, duhen të paktën 5 vjet për të përgatitur gjahun. Subjekti fizik ose juridik do të jetë njëkohësisht dhe menaxhuesi i zonës.

Këto zona duhet të jenë në monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përkatëse në njësitë e qeverisjes vendore dhe nga inspektorati, në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin. Qeverisja vendore duhet të hartojë planin e menaxhimit dhe planin vjetor të përdorimit të llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, menaxhuesi i zonës harton planin e biznesit dhe mbarështimit të faunës, me qëllim që ushtrimi i gjuetisë të jetë më i lehtë për t’u menaxhuar dhe për t’u kontrolluar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat