Shqipëria Postuar më 19 Shkurt 2026, 11:11

Depozitat e energjisë, KESH bashkëpunim me francezët - Në fokus, zhvillimi i kapaciteteve të ruajtjes. Integrim në infrastrukturën ekzistuese

Nga Ola Mitre

Depozitat e energjisë, KESH bashkëpunim me francezët - Në

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje partneriteti me Électricité de France dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim për bashkëpunim të avancuar në fushën e ruajtjes së energjisë. Qëllimi është zhvillimi i kapaciteteve të ruajtjes, përmes vlerësimit dhe identifikimit të teknologjive më të përshtatshme për integrim në infrastrukturën ekzistuese.

Sipas KESH, ky projekt do të ndihmojë në integrimin më të madh të energjisë së rinovueshme, rritjen e sigurisë së furnizimit dhe modernizimin e sistemit elektroenergjetik.

Edhe ndryshimet e propozuara në ligjin “Për sektorin e energjisë” njohin dhe rregullojnë për herë të parë konceptin e “depozitimit të energjisë”, si një element i ri në sistemin elektroenergjetik të vendit.

Depozitimi është një mënyrë për të shtyrë përdorimin e energjisë elektrike për një moment të mëvonshëm, përmes metodave fizike ose kimike, duke përfshirë edhe transformimin e energjisë elektrike në një formë tjetër energjie që mund të ruhet.

Ndërkohë që, ligji i ri i hap rrugë licencimit të subjekteve në depozitimin e energjisë, duke kërkuar që çdo person fizik apo juridik që operon hapësira depozituese të energjisë të pajiset me licencë nga Enti Rregullator i Energjisë.

Depozitimi i energjisë konsiderohet si thelbësor për një sistem energjetik modern, të qëndrueshëm dhe efikas. Kjo për disa arsye, duke nisur nga balancimi i prodhimit dhe konsumit, deri te ulja e kostove.

Më konkretisht, duke qenë se energjia elektrike prodhohet në kohë reale, por kërkesa dhe prodhimi nuk janë gjithmonë të sinkronizuara, depozitimi mundëson ruajtjen e energjisë kur ka tepricë, përshembull gjatë orëve me shumë diell ose erë dhe përdorimin e saj kur ka mungesë ose kërkesë të lartë.

Po ashtu, duke ruajtur energji kur ajo është më e lirë, siç mund të jetë gjatë natës, dhe duke e përdorur kur çmimi është i lartë, konsumatorët dhe operatorët mund të ulin ndjeshëm kostot e energjisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat