Shqipëria Postuar më 30 Mars 2025, 20:48

Denaj reagon për filetot me salmonelë: S’bëhet politikë me ushqimin, e kemi çuar rastin para institucioneve

Nga Scan TV

Denaj reagon për filetot me salmonelë: S’bëhet

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e ka kryer detyrën e saj sipas protokolleve dhe është angazhuar për të garantuar sigurinë ushqimore
 
Ministrja për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Anila Denaj, ka reaguar lidhur me rastin e një ngarkese me fileto pule, të cilat janë konstatuar të jenë me salmonelë dhe që janë futur në tregun shqiptar e konsumuar nga qytetarët.
Sipas Denajt, e cila ka folur për Euronews Albania, rasti është delikat dhe me të nuk mund të bëhet politikë. Teksa ka garantuar se çështja është çuar para institucioneve përkatëse, duke u marrë të gjitha masat.
Sipas ministres, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e ka kryer detyrën e saj sipas protokolleve dhe është angazhuar për të garantuar sigurinë ushqimore.
“Situata e AKU është e qartë; agjencia ka kryer detyrën dhe ka realizuar kontrollet e nevojshme. Sigurisht, lajmi është bërë publik, janë konfirmuar përgjigjet e analizave dhe i gjithë zinxhiri i kontrollit, për të cilin AKU ka denoncuar ata që kanë shkelur protokollet”, përmendi Denaj lidhur me rastin.
Ajo shtoi se rasti i takon institucioneve si krimi ekonomik, apo Policia e Shtetit, të cilat duhet të japin edhe gjykimin përkatës.
“Jo vetëm që kemi reaguar, por gjithashtu i kemi çuar çështjet përpara institucioneve. Por, politikë me ushqimin nuk bëhet, institucionet janë aty për të garantuar zbatimin e protokolleve, të cilat janë të shkruara dhe të zbatuara nga ne. Jam gjithmonë në shërbim të sqarimit, por vetëm për publikun”, përmbylli Denaj.
Autoritetet ligjzbatuese kanë shpallur të shtunën e 29 marsit në kërkim administratorin e një kompanie private, e cila importoi mish pule me bakterin e salmonelës.
Pasi një sasi e konsiderueshme u nxorr në treg, Policia ka proceduar penalisht dhe tre inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sakaq, autoritetet kanë proceduar edhe vëllain e administratorit, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
“Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe  u proceduan penalisht  shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç”.
Shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G.,  kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës, konfirmojnë autoritetet.
Ndërsa, shtetasit G. H., S. L., dhe A. S., në cilësinë e  inspektorëve të AKU-së me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat