Shqipëria Postuar më 18 Prill 2025, 14:52

Dëmshpërblimi për aksidentet me mjet të pasiguruar - AMF: Rreth 351 mln lekë në 2024. Janë ulur dëmet pezull nga Fondi i Kompensimit

Nga Ledina Elezi

Dëmshpërblimi për aksidentet me mjet të pasiguruar - AMF:

Në vitin që lamë pas, pagesat nga Fondi i Kompensimit për dëmshpërblimin e një mjeti të siguruar që është përfshirë në një aksident me një mjet të pasiguruar arriti në 351 milionë lekë.

Palët e dëmtuara në një aksident automobilistik brenda territorit të Shqipërisë, shkaktuar nga një mjet i pasiguruar apo i paidentifikuar, kanë të drejtën e dëmshpërblimit nga Byroja Shqiptare e Sigurimit, e konkretisht Fondi i Kompensimit.

Shoqëritë e sigurimit, anëtare të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, të cilat ushtrojnë veprimtari në vendin tonë në sigurimin e detyrueshëm motorik, janë të detyruara të kontribuojnë çdo vit financiarisht në fondin e kompensimit, në përpjestim të drejtë me primet bruto, të shkruara në këto lloj sigurimesh, në vitin paraardhës.

Fondi i Kompensimit ishte 270 milionë lekë në 2024. Sipas raportit vjetor të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Fondi i Kompensimit në mbyllje të vitit të kaluar, rezulton me një realizim prej 145.5% të detyrimit të fondit. Balanca e tij në dhjetor 2024 ka qenë me tepricë rreth 109 milionë lekë.

Për sa i përket dëmeve pezull, pra atyre që nuk janë paguar akoma nga Fondi i Kompensimit ose kanë kaluar në gjykatë, janë në vlerën rreth 688 milion lekë, duke pësuar ulje në vlerë me rreth 155 milion lekë, krahasuar me të dhënat e raportuara në 2023. Një pjesë e konsiderueshme e dëmeve pezull vazhdojnë të jenë dëme në proces gjyqësor, që i përkasin ngjarjeve përpara hyrjes në fuqi të ligjit të vitit 2021, të cilat rezultojnë në vlerën rreth 459 milion lekë, ose rreth 67% të dëmeve në proces.

Për këtë vit, Fondi i Kompensimit nga dëmet në sektorin e transportit për vitin 2025 është në masën e 250 milionë lekëve. Byroja Shqiptare e Sigurimit është administruese e Fondit, përgjegjës për pagesën e dëmeve rrjedhur nga aksidente automobilistike, shkaktuar nga mjete të pasiguruara apo të paidentifikuara.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat