Shqipëria Postuar më 10 Korrik 2025, 12:37

Deklarata, Dhoma Amerikane ngre shqetësime për turizmin - Sfidat që duhen adresuar: Nga ndërtimet gjatë verës, te mungesa e fuqisë punëtore

Nga Ola Mitre

Deklarata, Dhoma Amerikane ngre shqetësime për turizmin - Sfidat

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka reaguar përmes një deklarate për shtyp, duke vënë në dukje zhvillimet pozitive të sektorit të turizmit vitet e fundit, por edhe sfidat që rrezikojnë ecurinë e sezonit turistik në vazhdim.

Në deklaratë vlerësohet rritja e ndjeshme e investimeve në strukturat akomoduese dhe rritja e fluksit të turistëve të huaj, që sipas Dhomës po sjellin një ndikim pozitiv në ekonominë e vendit. Megjithatë, organizata që përfaqëson interesat e biznesit amerikan në Shqipëri, thekson se disa probleme strukturore mbeten ende të pazgjidhura.

Sipas informacioneve të mbledhura nga anëtarët e saj në sektorin turistik, disa prej shqetësimeve kryesore përfshijnë mungesën e ujit të pijshëm në zonat bregdetare, menaxhimin e dobët të ujërave të zeza, djegien e mbetjeve në landfille dhe aktivitetet ndërtimore që vijojnë edhe gjatë muajve të verës. Këto problematika jo vetëm që cënojnë funksionimin normal të strukturave pritëse, por ndikojnë drejtpërdrejt edhe në përvojën e vizitorëve dhe cilësinë e jetës në komunitetet përkatëse.

Një tjetër çështje e theksuar nga Dhoma Amerikane është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. “Mungesa e një stafi të trajnuar ka vënë në vështirësi shumë biznese turistike, duke rrezikuar njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion turistik krahas vendeve të tjera të rajonit”, - thuhet në deklaratë.

Dhoma u bën thirrje autoriteteve qendrore dhe vendore që të marrin masa konkrete për të adresuar këto sfida, si dhe shpreh vullnetin për të bashkëpunuar me institucionet dhe aktorët e tjerë për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat