Shqipëria Postuar më 27 Janar 2026, 11:36

“Dekriminalizoni plotësisht shpifjen dhe fyerjen” - Ndryshimet në Kodin Penal, Bino: Nuk përmbushen standardet e BE-së

Nga Ola Mitre

“Dekriminalizoni plotësisht shpifjen dhe fyerjen” - Ndryshimet

Organizatat e shoqërisë civile dhe të lirisë së medias kanë kërkuar dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes. Pak para nisjes së seancës ku pritet votimi i paketës së ndryshimeve në Kodin Penal që lidhen me shpifjen, fyerjen dhe sigurinë e gazetarëve u theksua se teksti që pritet të votohet realizon vetëm një dekriminalizim të pjesshëm, që sipas organizatave ruan presionin e së drejtës penale mbi fjalën e lirë.

"Teksti që pritet të votohet nuk e realizon dekriminalizimin e plotë. Ai parashikon një përjashtim të kufizuar dhe të bazuar në status, vetëm për gazetarë të përshkruar si “të regjistruar dhe të njohur”, vetëm për veprën e shpifjes, ndërkohë që fyerja mbetet vepër penale. Kjo qasje është problematike për disa arsye themelore. Së pari, qasjet e pjesshme dhe të bazuara në status nuk janë në përputhje me standardet evropiane. Liria e shprehjes mbrohet për shkak të funksionit që shërben – interesit publik dhe mirëbesimit – dhe jo për shkak të statusit profesional të folësit. Së dyti, Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem regjistrimi të gazetarëve. Çdo referencë ndaj “gazetarëve të regjistruar dhe të njohur” krijon pasiguri juridike dhe rrezikon të hapë rrugën për mekanizma kontrolli mbi gazetarinë, në kundërshtim me parimet themelore të lirisë dhe pavarësisë së medias”, - tha Blerjana Bino, drejtore ekzekutive e SCiDEV, në emër të organizatave.

Paralelisht, u theksua se dekriminalizimi i shpifjes duhet të jetë pjesë e një agjende më të gjerë reformuese, e orientuar drejt forcimit të llogaridhënies demokratike, garantimit të pluralizmit mediatik dhe krijimit të një mjedisi realisht mundësues për gazetarinë e lirë dhe në interes publik, në përputhje me standardet dhe angazhimet evropiane të Shqipërisë.

“Dekriminalizimi i pjesshëm nuk mjafton dhe nuk përmbush standardet që Shqipëria ka marrë përsipër në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, - tha Bino.

Shqetësime e përcjella nuk janë vetëm të shoqërisë civile shqiptare, por ato mbështeten nga disa prej organizatave dhe rrjeteve më të mëdha evropiane dhe ndërkombëtare për lirinë e medias dhe të drejtat e njeriut, përfshirë Rrjetin SafeJournalists, partnerët e Media Freedom Rapid Response, Reporterët pa Kufij (RSF), si dhe organizata si ECPMF, Federata Evropiane e Gazetarëve, ARTICLE 19 Europe, OBCT dhe International Press Institute.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat