Shqipëria Postuar më 29 Korrik 2026, 13:14

“CV-të në pritje të një përgjigjeje”/ Hasalla: Çdo aplikim duhet të vlerësohet dhe kandidati të informohet

Nga Diamila Leka

“CV-të në pritje të një përgjigjeje”/

Platformat online të punësimit janë kthyer në një nga mënyrat kryesore për të kërkuar një vend pune. Çdo ditë publikohen dhjetëra njoftime për pozicione të lira, ndërsa numri i aplikimeve nga kandidatët është gjithnjë në rritje. Por, një shqetësim i shpeshtë mes punëkërkuesve është mungesa e një përgjigjeje pas dërgimit të CV-së. Sipas ekspertëve të punësimit, në treg ekziston edhe fenomeni i njoftimeve për vende pune që nuk përkthehen domosdoshmërisht në pozicione reale të lira.

Duket sikur është shndërruar në një trend kohët e fundit, që sidomos shumë kompani qofshin këto vendas apo të huaj, hapin shumë vende pune, dhe ndonjëherë duket sikur ka mijëra vende pune të lira dhe ka shumë kandidatë që aplikojnë për këto vende pune, por këto vende pune realisht nuk ekzistojnë. Është një trend dhe mesa duket përdoret nga vetë kompanitë dhe nga departamentet e tyre të burimeve njerëzore, për të treguar që kompania është tashmë e fuqishme dhe ka gjithë kohës vende pune të hapura. Kjo ndikon patjetër te vetë kërkuesit e mundshëm të punës. Ata mendojnë të aplikojnë sa më shumë nëpërmjet këtyre platformave online, siç janë LinkedIn, Indeed ose të tjera të cilat u japin mundësi të aplikojnë online në disa vende pune ndoshta edhe brenda ditës. Por, si përfundim, nuk marrin pothuajse asnjë përgjigje mbrapsht. Pse ndodh kjo? E para, vendet e punës ku aplikohet mund të jenë zënë tashmë dhe është thjesht procedurë që ndjek kompania për të hapur vendin e punës, ndërkohë që është gjetur personi që do të bëjë zëvendësimin (i cili mund të jetë nga brenda kompanisë, sepse lëvizin në pozicione të ndryshme njerëzit që janë brenda saj). Ose, në këtë rast, pozicionet plotësohen nëpërmjet rrugëve të tjera që nuk janë intervista të drejtpërdrejta. Ndikimi është drejtpërdrejt te punëkërkuesit sepse ul moralin. Pra, nëse ti aplikon në 10 vende pune brenda një muaji dhe nuk merr përgjigje nga asnjëri prej tyre, atëherë morali yt si person që kërkon punë bie përtokë. Dhe realisht kjo ndodh në mënyrë të vazhdueshme në Shqipëri është një fenomen mjaft i keq,"-  tha Gertjana Hasalla, eksperte punësimi.

Procesi i rekrutimit mbetet një tjetër sfidë, veçanërisht kur kompanitë marrin një numër të lartë aplikimesh për të njëjtin pozicion. Por Hasalla nënvizon që një përgjigje duhet të jepet kandidatëve për të minimizuar pritjet për vendin e punës.

Ka shumë aplikime që bëhen për të njëjtin pozicion dhe bëhen rreth 100 aplikime, ose 200 aplikime për të njëjtin pozicion nga njerëz të ndryshëm. Ndonjëherë kandidatët nuk janë të kualifikuar mjaftueshëm edhe për t’u marrë në intervistë, por duhet  të kenë parasysh që një kompani e mirëfilltë duhet të ketë një sistem për t’i kthyer përgjigje dhe atyre personave të cilët aplikojnë për një pozicion pune por nuk merren ose nuk kualifikohen për të. Pra ajo çka mendojmë me vete është se nëse ne aplikojmë, presim që të kemi të paktën një përgjigje që aplikimi jonë  u mor dhe më pas që ky aplikim pasi u mor, u vlerësua u mor në shqyrtim dhe u skualifikua për arsyet e kompanisë. Pra duhet të ketë gjithnjë një përgjigje mbrapa,”-sqaroi Hasalla.

Në një kohë kur kërkimi për punë po zhvendoset gjithnjë e më shumë online, sfida mbetet jo vetëm gjetja e vendeve të punës, por edhe krijimi i një komunikimi më të drejtë mes kompanive dhe kandidatëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat