Shqipëria Postuar më 15 Korrik 2025, 10:14

Cilët sektorë po fitojnë më shumë para’? - Rritet transporti dhe tregtia, bie prodhimi

Nga Elisabeta Dosku

Cilët sektorë po fitojnë më shumë para’? - Rritet

Bizneset që operojnë në vend kanë paguar afro 285 milionë euro tatim mbi fitimin përgjatë periudhës Janar-Maj 2025.

Në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, rritja regjistrohet në afro 9 milionë euro apo 3.3 %, çka tregon se bizneset kanë fituar më shumë. Megjithatë referuar planifikimit të të ardhurave për këtë periudhë në arkën e shtetit rezultojnë 18 milionë euro më pak apo -5.9%.

Por cilët kanë sektorët që kanë performuar më mirë duke qarkulluar dhe rrjedhimisht fituar më shumë para’ përgjatë kësaj periudhe?

Të dhënat e pasqyruara në raportin e mesvitit për zbatimin e buxhetit të shtetit 2025, tregojnë se sektori i transportit ka pasur rritjen më të lartë me afro 34%, ndjekur nga sektori i tregtisë me rritje 20%. Sektori i shërbimeve është rritur me 13%, sektori i ndërtimit me 12 %. Ndërsa përkundër këtyre, negativisht ka performuar vetëm sektori i prodhimit, i cili shënon një ulje me 23 % në raport me një vit më parë.

Megjithatë nëse do të analizojmë shifrat në vlerë absolute, nga totali i tatimfitimit të paguar përgjatë kësaj periudhe, sektori i shërbimeve ka kontributin më të lartë në të ardhurat buxhetore me afro 86 milionë euro të paguar në formën e kësteve të tatim-fitimit,  ndjekur nga sektori i tregtisë me afro 77 milionë euro. Sektori i prodhimit ka paguar rreth 72 milionë euro në 5 muaj, sektori i ndërtimit ka paguar 40 milionë euro dhe sektori i transportit rreth 11 milionë euro.

Sipas të dhënave të administratës tatimore, aktualisht janë afro 16 mijë sipërmarrje  në të gjithë vendin që paguajnë tatim-fitim, pasi bizneset e vogla me qarkullim 0-14 milionë lekë janë të përjashtuara. Shkalla e tatimit mbi fitimin për tatimpaguesit me të ardhura vjetore mbi 14 milion lekë aplikohet në 15% e fitimit të tatueshëm.

Ndërsa këtë vit do të aplikohet  tatim-fitim në shkallë progresive nga 15-23 %  për kategorinë e të vetëpunësuarve, nëse kanë më pak se tre klientë.

Aktualisht, tatimi mbi fitimin zë 24.2 % të të ardhurave tatimore vjetore, duke u renditur në vendin e tretë për nga pesha që zë në buxhet, pas TVSH-së dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat